Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 10:28

Malishevë – Në familjen Krasniqi nga fshati Carallugë afër Malishevës sot ka zi.

Ata i varrosin sot mbetjet mortore të 18 të vrarëve gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Familja Krasniqi ka marrë dje mbetjet mortore nga Departamentin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Viktimat ishin zhvarrosur në vitin 2004, ndërsa janë dashur gjashtë vite për identifikimin e tyre nga ekspertët mjeko-ligjorë të EULEX-it me anë të kombinimeve të ADN-së dhe analizave mjeko-ligjore antropologjike.

Sipas komunikatës së EULEX-it, mbetjet mortore të 18 viktimave të familjes Krasniqi janë vetëm disa prej gjithsej 250 trupave që gjenden në morgun e spitalit të Prishtinës, e të cilët janë në proces të identifikimit.

Që kur ekspertët e EULEX-it filluan punën në Departamentin e Mjekësisë ligjore, në dhjetor 2008, më se 200 mbetje mortore të individëve u janë kthyer familjeve të personave të zhdukur.

Departamenti, sipas komunikatës së EULEX-it ka kryer më se 260 operacione në terren.