Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 16:17

Në mbështetje të Bankës Botërore përmes “Projektit për Zhvillim Institucional të Arsimit në Kosovë – IDEP”, sot filloi punën konferenca  dyditore rajonale me temë “Vizioni për Maturën 2015”, në të cilën po marrin pjesë drejtues të institucioneve arsimore dhe ekspertë të ndryshëm.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, në hapje të konferencës tha se, çështja e maturës është me rëndësi të madhe për vendin, pasi që synohet të formohen kuadro profesionale dhe shkencore të nivelit më të lartë.

Sipas ministrit Buja, “Testi i maturës, dikë e trazoi e ne e vlerësuam si real.Testi i maturës këtë vit realizoi 42 për qind dhe dikë e shqetësoi dhe e trazoi fort, ndërsa ne vlerësuam se ishte një vlerësim shumë real, sepse kësaj radhe morëm një porosi të veçantë që të mos ketë nevojë askund të fryjmë asnjë rezultat të shohim se cilat janë pozicionet tona diturore të kësaj gjenerate”.

Kurse kryetari i Komisionit Shtetëror të Maturës, Nehat Mustafa ka thënë se të gjitha rekomandimet që do të dalin nga kjo konferencë prej drejtuesve të institucioneve dhe ekspertëve, do të analizohen dhe do t’i drejtohen komisionit parlamentar për amandementimin e ligjit për provimin shtetëror të maturës.

Punën e konferencës e përshëndeti edhe përfaqësuesja e Bankës Botërore, Flora Kelmendi, e cila premtoi përkrahje edhe në të ardhmen, kurse Mustafë Kadriu prezantoi aktivitetet e Divizionit për vlerësim, standard dhe monitorim në Kosovë. Po ashtu, nga Shqipëria dhe Sllovenia u prezantuan metodat dhe funksionimin e maturave shtetërore në këto vende.