Lajme Shqip Saturday, 05 November 2011 10:35

Tiranë- 1500 delegatë socialistë mblidhen sot në Pallatin e Kongreseve për të votuar programin e ri politik të Partisë Socialiste si dhe ndryshimet në statutin e saj.

Po kështu këta delegatë do të votojnë sot për të zgjedhur edhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare, por edhe anëtarët e Komisionit të Garancive Statutore. Burimet zyrtare nga PS bënë të ditur dje, se do të jetë sekretari organizativ, Blendi Klosi ai që do të hapë Kongresin.

Më pas do të nisë prezantimi i 4 shtyllave kryesore të programit politik të PS-së. Pjesa e parë, e titulluar “Rimëkëmbje e Ekonomisë” do të prezantohet nga deputetja Mimi Kodheli. Pjesa e dytë, e titulluar “Ripërtëritje e shoqërisë” do të prezantohet nga Valentina Leskaj”.

Më pas do të prezantohet nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Saimir Tahiri, pjesa e tretë e titulluar “Rivendosje e demokracisë”. Ndërkohë, pjesën e katër të titulluar “Ribashkim me Evropën” do ta prezantojë deputeti Ditmir Bushati.

Pas këtij prezantimi pritet të marrë fjalën kryetari i PS-së, Edi Rama.
Pritet që të ketë edhe ndërhyrje të deputetëve kundërshtarë pasi Arben Malaj ka përgatitur të mbajë fjalën e tij, në lidhje me demokratizimin e partisë. Në vijim punimet e Kongresit do të merren me diskutimin e ndryshimeve statutore, të cilat do të kalohen nen për nen duke marrë parasysh edhe propozimet e delegatëve. Në fund fare, delegatët do të nisin votimin për Komisionin e Garancive Statutore dhe anëtarët e Asamblesë Kombëtare.

Por, sërish pritet të jetë pjesë e forumit, ish-kryetari Fatos Nano, ish-Presidenti Rexhep Meidani, Ylli Bufi, Servet Pëllumbi, 64 deputetët, mes të cilëve edhe kundërshtarët e Ramës, etj. Më tej, do të jetë Asambleja e re, e cila do të zgjedhë kryesinë dhe sekretarët që do të jenë stafi më i afërt i kryetarit Edi Rama.