Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 13:50

Prishtinë – Instituti Demokratik i Kosovës ka publikuar sot raportin mujor të monitorimit të shtypit ditor rreth raportimit për korrupsionin, sipas të cilit është vërejtur një ulje drastike e numrit të artikujve për korrupsionin, kryesisht si pasojë e zhvillimeve të mëdha politike në vend.
Sipas këtij raporti gjatë muajit korrik janë evidentuar gjithsej 48 artikuj nga nëntë gazetat, apo 49 më pak se në muajin qershor, ndërkohë që në këtë raport përfshihen edhe shkrimet mbi aksionet konkrete për luftimin e korrupsionit si arrestimet, dënimet, etj.
Po ashtu, është evidentuar edhe mungesa e aksioneve ndëshkuese të organeve të drejtësisë kundrejt keqpërdoruesve të pushtetit dhe parasë publike. Nga 48 artikujt për korrupsionin, gati gjysma (19) flasin për raporte të Auditorit të Përgjithshëm. 
Dy raste flasin për aktakuza, një rast për fillimin e një hetimi, ndërsa të tjera për informata, që kanë siguruar vetë mediat bazuar në hulumtimet e tyre. Shqetësuese vlerësohet mosangazhimi i gjykatave dhe policisë, megjithëse gjatë muajve të kaluar ka pasur mjaft raste të paraqitura për korrupsion. 
Edhe gjatë muajit korrik, Qeveria e Kosovës, përfshirë dikasteret (ministritë), por edhe Kryeministrinë, renditet me më së shumti artikuj për dyshime për korrupsion. Shumica e artikujve burojnë nga raportet e Auditorit të Përgjithshëm për të cilat kanë raportuar mediat e shtypura.