Lajme Shqip Thursday, 12 May 2011 20:03

Prishtinë – Në fshatin Zhilivodë të Vushtrrisë, pjesëtarë të EULEX-it, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës, kanë rifilluar gërmimet, të cilat kanë filluar në fund të gushtit të vitit të kaluar në një zonë të dyshuar si varrezë masive. Sipas drejtuesve të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, ky projekt do të vazhdojë për shumë kohë, sepse thellësia dhe hapësira është e madhe dhe se duhet të shkohet në formë të terrasimit, në mënyrë që të mos rrezikohet efektivi njerëzor dhe teknik.

Sipas autoriteteve serbe, flitet se në këtë lokacion mund të jenë rreth 20 mbetje mortore të komunitetit serbë të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Velko Odalloviq, kryetar i komisionit qeveritar të Serbisë për persona të pagjetur, tha se obligim i të dyja grupeve deleguese si të Kosovës dhe Serbisë, është se çdo vend i dyshuar për varrezë masive duhet të vërtetohet.

Sipas tij, punimet në rastin e Zhilivodës janë ndërprerë në nëntor të vitit të kaluar për ndërsa me rifillimin e punëve në këtë vend këto punime do të përfundojnë brenda disa muajve.

“Informatat, të cilat na janë prezantuar nga hetuesit e EULEX-it, ne i kemi përpunuar ato informata dhe kemi marrë zotimin për kohën dhe afatet për të cilat do të kishte qenë i përfunduar ky projekt edhe pse këtu në këtë vend është punuar para dy tre vjetësh. Në vitin e kaluar kanë filluar punimet po për shkak të kushteve atmosferike që filloi edhe dimri, tani jemi përsëri këtu që të fillojmë punën dhe brenda disa muajve ta përfundojmë këtë projekt”, ka thënë Odalloviq.

I pyetur se çka po ndodh me varrezat masive në Serbi, tek të cilat dyshohen se ka shqiptarë, Odalloviq tha se atje nuk është ndërprerë puna dhe se ajo është çështje e hapur dhe do të kryhet deri në fund.

Edhe pse nuk dihet saktësisht në këtë lokacion mund të jenë rreth 20 mbetje mortore të komunitetit serb të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Odalloviq tha se informacionet më të sakta do të jenë pas përfundimit të punimeve.

Por, Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, tha se ky projekt do të vazhdojë për shumë kohë.

Në anën tjetër, pronarët e këtyre tokave kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që t’u bëhet kompensimi i dëmeve të krijuara nga gërmimet paraprakisht, mirëpo Gjetaj tha se për të gjitha këto është i caktuar komisioni nga ekspertë, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, komisioni qeveritar, si dhe përfaqësues të komunës, të cilët do të bëjnë vlerësimin se çfarë dëmesh do të krijohen dhe pas gërmimeve do t’u bëhet kompensimi këtyre pronarëve.

Të martën, zhytësit e FSK-së kërkuar mbetje mortore në liqenin e Livoçit afër Gjilanit, por nuk gjetën asgjë.