Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 22:50

Prishtinë – Burime të Portalit LajmeShqip.com kanë bërë të ditur se dy ditë më parë është zhdukur lobuesi i njohur për pavarësinë e Kosovës, James Berisha.

Sipas këtyre burimeve, ai, bashkë me aeroplanin e tij, është zhdukur në Asmara të Eritresë, në udhëtimin e tij të gjatë për sensibilizimin shteteve afrikane me kërkesën për njohjen e shtetit më të ri të Evropës.

“Nëse nuk lajmërohem deri të mërkurën, duhet ta dini se jam arrestuar në Asmara të Eritresë”, iu ka shkruar ai para disa ditësh miqve të tij.

Shenjat e rrezikut për të janë paraqitur sapo ai ka ateruar në Aeroportin e Asmaras, të hënën, kur është përballur me probleme me vendorët eritreas.

Ndërkohë, sipas agjendës së tij, James Berisha është dashur që dje të kthehet në Sudan, por kjo nuk ka ndodhur.

Bëhet e ditur se miqtë e Berishës tashmë i kanë sensibilizuar ambasadat më të afërta të Kosovës dhe të Shqipërisë, me zhdukjen e tij.

Kohë më parë, lobuesi i njohur për pavarësinë e Kosovës, James Berisha, ka nisur lobimin e tij për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vendet afrikane. (LajmeShqip.com)