Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 16:13

Prishtinë- Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Kreu i opozitës kosovare shprehu kënaqësinë që Zhbogar vjen nga një shtet që i ka dhënë përkrahje të madhe Kosovës.

Sipas njoftimit nga LDK, Zhbogar theksoi se, “misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, është që ta përkrahë Kosovën në rrugën drejt BE-së. Për këtë qëllim edhe është vendosur që zyra e Komisionit Evropian në Kosovë të jetë edhe ajo e përfaqësuesit të BE-së për Kosovë”,  theksoi Zhbogar.

Në cilësinë e ndërlidhësit mes Brukselit dhe Kosovës Zhbogar ka përmendur edhe përkrahjen në shumën prej 70 milionë eurosh, të cilën shumë BE-ja ka planifikuar për vitin 2012.

“Gjatë dhjetorit të vitit të kaluar BE-ja ka ndërmarrë vendime të rëndësishme për Kosovën përfshirë fillimin e procesit për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale tregtare, si dhe proceset tjera që do të vazhdojnë”, tha Zhgobar.

Zhbogar përmendi rëndësinë e procesit të dialogut Kosovë-Serbi dhe ndihmën që BE-ja është e gatshme ta ofrojë në këtë aspekt, që nënkupton integrimin e veriut, përfaqësimin rajonal të Kosovës etj.

Kryetari Mustafa u shpreh se, “LDK-ja ka pasur vërejtjet e saja rreth fillimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, veçmas ndaj aspektit të përgatitjes jo të duhur, axhendës jo të qartë , dhe qasjes jo transparente ndaj Parlamentit dhe të opinionit publik”.

Mustafa tha se LDK-ja, si një parti që ka trashëguar konceptin e presidentit historik Rugova, vazhdon të ketë parimin e njëjtë, që çështjet të zgjidhen përmes dialogut, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë. (LajmeShqip.com)