Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 12:34

Prishtinë- I sapo emëruari përfaqësues special i BE-së për Kosovë, Samuel Zhbogar, në një intervistë për RTK-në, ka folur për sfidat me të cilat do të ballafaqohet Kosova sivjet.

Duke komentuar zhvillimet në veri të Kosovës, Zhbogar ka theksuar se institucionet dhe qytetarët e Kosovës, duhet të gjejnë zgjidhje për të integruar këtë pjesë të vendit.

Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, prandaj siç ka thënë, ai beson se përkundër faktit që situatës në veri aktualisht nuk është e mirë, institucionet e këtushme do të gjejnë zgjidhjen për të ndryshuar gjendjen.

“Veriu nuk guxon të shndërrohet në konflikt të ngrirë”, ka deklaruar Zhbogar. Gjithashtu ai ka folur për mosmarrëveshjet që po zvarrisin dialogun mes Kosovës e Serbisë.

“Në takimet e ndryshme, përfshirë këtu edhe takimet e Këshillit të Sigurimit, vendet përfaqësohen vetëm me emrat e tyre, pa e specifikuar a është fjala për republikë apo për mbretëri” ka theksuar Zhbogar.

Sipas tij, është qenësore që Kosova të ketë një ulëse ashtu siç e kanë vendet e tjera, nëpër forumet e ndryshme.

Zhbogar ishte i qartë se marrëveshja përkitazi me këto çështje do të ndihmonte që Kosova të krijojë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, të cilat aktualisht nuk i ka.

Sipas tij, marrëveshja e Kosovës për mënyrën se si do të përfaqësohet ajo në forumet rajonale e ndërkombëtare do të ndikojë edhe në qëndrimin e vendeve të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën ende.

Idenë për një takim eventual të Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me Presidentin e Serbisë Boris Tadiç, Zhbogar e cilësoi si të mirë. Ai është optimist për raportin e ardhshëm të progresit.

Çështjet sfiduese për sivjet të cilat do të reflektohen në atë se çka do të përmbajë ky raport, Zhbogar ka përmendur përpjekjet që duhen bërë në fushën e rendit dhe të ligjit, e në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. (LajmeShqip.com)