Lajme Shqip Monday, 04 February 2013 10:01

TIRANE-(PLOTESUAR) Komisioneri për zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle nisi sot në Tiranë misionin për zgjidhjen e ngërçit shqiptar midis PD-së dhe PS-së. Komisioneri Fyle, në vizitën e tij zyrtare do të zhvillojë takimet me dy liderët kryesore të PD dhe PS-së, në përpjekje për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje për miratimin në Parlament të tre ligjeve të përcaktuara nga KE si kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. 

Komisioneri Fyle u takua fillimisht në një mëngjes pune në Hotel Sheraton me ambasadorin  e BE Ettore Sequi dhe të OSBE në Tiranë Eugen Wollfarth, si dhe me ambasadorin e SHBA-së Aleksandër Arvizu si dhe me ambasadorët e tjerë të huaj të akredituar në vendin tonë. Më pas axhenda  vijoi me takimet me drejtuesit kryesorë të politikës. 

Rreth orës 10:45 Fyle u takua me Kryeministrin Sali Berisha, për t’u pasur me takimin mes tij dhe liderit të opozitës, Edi Rama, takim që pritet të zhvillohet rreth orës 12:05. Pas përfundimit të këtyre takimeve Fyle pritet të takojë dhe Presidentin Bujar Nishani. 

Pak ditë më parë, në një mesazh në rrjetin social “Twitter”, mbi situatën në Shqipëri, Fyle është shprehur se “zgjedhjet në Shqipëri janë shumë të rëndësishme, por nuk mund të zgjidhin çështjet kritike që janë kultura e kompromisit dhe mungesa e gjithëpërfshirjes”. Tetorin e kaluar, komisioni i rekomandoi vendeve anëtare dhënien e statusit Shqipërisë me kusht që të miratohej reforma parlamentare, ndryshimet në ligjin për Gjykatën e Lartë dhe në atë të nëpunësit civil.

PËRFUNDON TAKIMI RAMA-FYLE
Ora 13: 20
-Rreth orës 13:20 ka përfunduar takimi i Ramës me Fyle. Pritet të zbardhet diskutimi që është bërë me dyer të mbyllura mes dy personaliteteve.

PËRFUNDON TAKIMI FYLE-BERISHA
Ora 12:00
Ka zgjatur rreth 1 orë takimi i kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe Komisionerit për Zgjerim Stefan Fyle. Takimi u mbajt në kryeministri, ndërkohë që mësohet se në këtë takim Fyle ishte i shoqëruar nga ambasadori i BE-së Ettore Sequi. Pas takimit eskorta e komisonerit Fyle u drejtua drejt selisë rozë ku pritet takimi me kreun e PS-së Edi Rama.

AMBASADORI HOLANDEZ: FULE NË TIRANË PËR ZGJEDHJET DHE STATUSIN
Ora 09:35-Pas takimit me Fule, ambasadori holandez bëri të ditur për mediat se cështja e zgjedhjeve dhe statusi i vendit kandidat për në BE janë dy pika ku Fule është fokusuar Fule në takimin me ambasadorët. “Pavarësisht diskutimeve për zgjedhjet, axhenda për bashkimin evropian është shumë e rëndësishme dhe pjesë e diskutimit”.
I pyetur nëse do takojë kreun e PS, Rama, ambasadori tha se “Nuk kam dijeni për axhendën e zotit Fule, zgjedhjet dhe statusi kandidat janë dy cështjet”

FYLE: ÇFARË DUHET BËRË QË ZGJEDHJET MOS TË KONTESTOHEN
Ora 9:20
Komisoneri Stefan Fyle vetëm pak minuta para se të nisë axhendën e ngjeshur me aktorët kryesorë politik në vend ka sqaruar edhe arsyet e vizitës së tij.

“Erdha për të diskutuar çështjen më thelbësore të shtetit modern shqiptar-ç’duhet bërë për zgjedhjet që ato të mos kontestohen.”, shkruan Fyle në faqen e tij personale në Twitter.(B.W/LajmeShqip.com)