Lajme Shqip Saturday, 19 September 2015 09:59

Senati i Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” nuk e ka zgjedhur profesor asistent Lutfi Zharkun, ministër i Infrastrukturës, i cili njëherësh është edhe profesor në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”.

Mirëpo, Zharku nuk dorëzohet. Ai ka kërkuar nga Senati që ta rishqyrtojë vendimin lidhur me zgjedhjen e tij në pozitën akademike në UP.

Në një kërkesë të tillë, të bërë dy muaj më parë, Zharku nuk ka marrë përgjigje nga Rektorati i këtij Universiteti. Megjithatë, i pari i Ministrisë së Infrastrukturës ka bërë edhe një kërkesë të dytë, më 9 shtator të këtij viti, duke kërkuar t’i shqyrtohet ankesa për moszgjedhjen e tij profesor asistent për lëndët “Financa” dhe “Financa Ndërkombëtare” në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës.

Madje ai ka paralajmëruar t’i drejtohet edhe organeve gjyqësore kundër Rektoratit. Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe ministrin Zharku, si dhe Rektoratin e UP-së, por të dyja palët nuk janë përgjigjur. /Zeri/