Lajme Shqip Sunday, 27 November 2011 15:39

Shkup –  Lëvizja Qytetare ZGJOHU! i ka dënuar thirrjet raciste dhe nxitje-vrasëse të maqedonasëve kundër shqiptarëve të cilat u dëgjuan të shtunën në një fushë futbolli në Maqedoni.

“Lëvizja Qytetare ZGJOHU! dënon ashpër thirrjet raciste të tifozëve maqedonas në ndeshjen e djeshme futbollistike midis klubeve maqedonase Vardar dhe Ohri të drejtuara me plot urrejtje kundër shqiptarëve”, thuhet në reagimin.

Së fundi incidentet e këtillë lloji janë shtuar. Ato nisën së pari në ndeshjen midis kombëtares së Maqedonisë dhe Shqipërisë në Shkup. Po të njëjta thirrje u dëgjuan edhe në këtë ndeshje nga ana e simpatizuesve maqedonas.

Institucionet e Maqedonisë nuk e kanë dënuar incidentin në fjalë e as që kanë kërkuar ndonjë masë ndaj rastit.

Fundjavën e kaluar në një ndeshje të ligës së Kosovës, tifozët shqiptarë nga Kosova e dogjën flamurin e Maqedonisë, në shenjë reagimi ndaj tifozëve maqedonas në Shkup.

Incidentin në Kosovë e dënuan autoritetet kosovare të cilat nisën edhe një hetim. Incidentet e këtij lloji kanë vazhduar edhe dje, me ç’rast tifozët maqedonas përsëriten thirrjet e tyre të njëjta kundër shqiptarëve. Të shtunën u përsëritën thirrjet e grupeve maqedonase si “Shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur”, “Le ta dinë shqiptarët e mallkuar se emri maqedonas nuk do të zhduket”, “Maqedoni e pastër”, “Dhoma gazi për shqiptarët”, e të ngjashme.

Ndërkohë lëvizja ZGJOHU! konsideron se “shpërthimi i përsëritur racist i pseudo-tifozëve të quajtur Komiti u nxit nga mediat maqedonase dhe reagimi i tyre ndaj një incidenti të izoluar në Kosovë nga i cili u distancuan institucionet shtetërore të Kosovës, por edhe federata kosovare e futbollit”.

“Ndryshe nga veprimi i civilizuar kosovar, mediat dhe politikanët maqedonas nuk gjetën kurajë të mjaftueshme të dënojnë thirrjet raciste të fansave në ndeshjen miqësore Maqedoni – Shqipëri në Prilep. Të njëjtit nuk reaguan as kur u djeg flamuri kombëtar shqiptar në ndeshjën e futbollit në Kërçove midis Napredokut dhe Shkëndisë dhe nuk e dënuan çmendurinë dhe ksenofobinë e djeshme të tifozëve të Vardarit. Asnjëherë nuk u zbardh edhe terrori i huliganëve të njëjtë ndaj banorëve shqiptar të Nerezit dhe djegien e përsëritur të flamurit kombëtar shqiptar në ndeshjen basketbollistike kundër Lirisë”, nënvizon Zgjohu në reagimin e saj.

Kjo lëvizje ndërkohë ka ftuar “faktorët politik dhe civil shqiptare në Maqedoni, por edhe Tiranën dhe Prishtinën zyrtare që të reagojnë kundër shprehjes së theksuar të ksenofobisë nga huliganët maqedonas dhe dhunimin e flamurit tonë kombëtar duke kërkuar përgjegjësi dhe rezultate konkrete nga institucionet vendore kundër huliganëve të cilët dëmtojnë rëndë marrëdhëniet ndëretnike dhe nxisin urrejtje midis komuniteteve, por edhe vendeve fqinje“.