Lajme Shqip Friday, 14 August 2015 08:21

Autoritetet e Kosovës kanë paralajmëruar të enjten se brenda muajit do të arrihen katër marrëveshje me Serbinë, prej të cilave më e rëndësishmja është ajo për Asociacionin e komunave me shumicë serbe

Firmat në to pritet t’i vënë më 25 gusht kryeministrat e të dyja vendeve, shkruan sot Koha Ditore.

Përpos Asociacionit, në pako është në diskutim edhe çështja e lirimit të urës qendrore në Mitrovicë, që ndodhet mbi lumin Ibër, pastaj çështja e telekomunikacionit dhe ajo e energjisë.

Rreth dy muaj më parë pati dështuar përpjekja që marrëveshjet të firmoseshin për këto çështje. Ndonëse kishte dakordim për një mori aspektesh, është vendosur që nënshtrimi i të katër marrëveshjeve të bëhet përnjëherësh.

Përballjes së kryeministrave të Kosovës e Serbisë në Bruksel do t’i paraprijë një takim që ekipet teknike të të dyja vendeve do ta zhvillojnë më 24 gusht, ndërkaq pas kryeqendrës së Bashkimit Evropian, shefat e të dyja qeverive do të udhëtojnë në Vjenë për të marrë pjesë në takimin e radhës që rrjedh nga Procesi i Berlinit, e në të cilin gjashtë kryeministra nga vendet e Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë për projektet e përbashkëta infrastrukturore që do të marrin mbështetjen financiare të Komisionit Evropian.