Lajme Shqip Wednesday, 30 November 2011 16:55

Gjirokastër – Vjedhja e shumë ikonave në kisha të ndryshme të Gjirokastrës në harkun kohor të 10 viteve të fundit, ka nxitur policinë dhe prokurorinë që të ndërmarrin një hetim të zgjeruar për të hedhur dritë mbi këtë fenomen tepër shqetësues.

Burime zyrtare nga drejtoria e policisë në Gjirokastër thane se, ikonat me vlera të mëdha jo vetëm financiare, por edhe historike e kulturore, janë vjedhur në kishën e Labovës së Kryqit, Zagories,  Bularatit,  Bodrishtes, Sofratikes në Gjirokastër dhe në mjaft  kisha të tjera të rrethit të Përmetit dhe ende nuk janë zbuluar tërësisht autorët e tyre.

Sipas të njëjtit burim,”dyshohet se ikonat janë trafikuar në shtetin grek kundrejt vlerave të mëdha financiare dhe për këtë qellim hetimi i nisur parashikon edhe bashkëpunimin me policinë greke”.

“Bashkëpunimi i policisë dhe prokurorisë së Gjirokastrës për këtë problem parashikohet të japi efektin e duhur si dhe vënien e trafikantëve të objekteve të kultit para përgjegjësisë ligjore. Vetëm ditët e fundit, në kishën e Bularatit në komunën e Dropullit të Sipërm, u vodhën 27 ikona dhe sende të tjera të kishës.