Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 17:05

Tiranë – Pak ditë para fillimit zyrtarisht të fushatës elektorale për zgjedhjet e organeve te pushtetit lokal në 8 Maj, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, apeloi sot për një fushatë të matur, qytetare dhe bashkkohore. 
“Të sillemi në mënyrë të qytetëruar, duke filluar nga politika dhe të gjithë simpatizantët. 8 maji është një ditë, e cila duhet konsiderohet si një ditë feste dhe jo si një ditë ku partitë politike apo militantët të demonstrojnë një fjalor,  i cili nuk i shkon për shtat kontekstit të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.   Jemi një vend i NATO-s, dhe  jemi bërë i tillë mbi bazën e shumë reformave, bashkëpunimeve të rëndësishme,   politike dhe institucionale”, tha Presidenti Topi. 
Kreu i Shtetit, në mesazhin drejtuar forcave politike, theksoi që, “të futemi në fushatën zyrtare zgjedhore me një sjellje qytetare, sjellje që t’i ngjajë politikës së vendeve europiane, ku dëshirojmë të aderojmë”.   
“Të futemi me  alternativa konkrete dhe partitë politike të marrin në dorë  realisht fushatën politike për t’i bërë ato qytetare në shërbim te qytetarit, sepse janë zgjedhje administrative, të cilat duhet të jenë zgjedhje në radhe të parë në shërbim  të qytetarit”, tha Topi. 
Me tej,  Presidenti Topi theksoi se, “duhet të ndajmë në mënyrë të qartë fizionominë e zgjedhjeve. Zgjedhjet lokalet  janë zgjedhje që patjetër kanë projekte konkrete reale, ndërsa zgjedhjet e përgjithshme politike, natyrisht kanë një politikë më të madhe. Uroj që kjo fushatë  të bëhet e matur,  me qytetari dhe që dita e zgjedhjeve të jetë një ditë, ku të marrin pjesë shumë qytetarë, pasi ata do të votojnë për pushtetin e tyre”, përfundoi Topi. 
Deklaratën ne media për zgjedhjet e 8 majit, Presidenti Topi e bëri në një aktivitet që zhvilloi sot në Repartin Ushtarak të Zall-Herrit në Tiranë, me rastin e 2 vjetorit te anetaresimit te Shqiperise ne NATO dhe  62 vjetorit të krijimit te NATO-s, aleancës më të madhe politiko- ushtarakë në botë.