Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 16:17

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, iu bëri sot thirrje partive politike që të jenë të sinqerta dhe të bëjnë një debat real gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e dekorimit të disa personaliteteve, që kanë marrë pjesë në rrëzimin e simboleve të komunizmit, Kreu i shtetit, duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 8 majit, theksoi se nuk duhet të përdoret dhunë në fushatë, por debat real dhe i qytetëruar.
“Duhet ta vendosim veten në pozicione qytetare. Politikanët janë atje për t’i shërbyer qytetarit dhe ky është apeli im sot. Jo, dhunë, por debat! Njeriu i qytetëruar bën debat, njeriu i qytetëruar punon me projekte. Njeriu i qytetëruar dhe politikani i qytetëruar ballafaqon projektet. Nuk bën premtime të çastit. I ka kaluar koha premtimeve të çastit. Sot ka ardhur momenti të paraqesim projekte madhore, që i bëjnë njerëzit e kualifikuar, njerëzit politikanë, qytetarë, njerëzit me vizion”, u shpreh Presidenti Topi.
8 maji, vijoi ai, “është dita e rinovimit të pushtetit vendor. Partitë demokratike, sipas rregullit në demokraci, të futen në garë, të respektojnë rregullat, të pranojnë rezultatin dhe qytetari e ndjen që këtu mbyllet një etapë, për të filluar një etapë tjetër, që, ata që kanë marrë votën e qytetarit t’i shërbejnë qytetarit”.