Lajme Shqip Thursday, 07 April 2011 07:51

Tiranë – “Ndryshimi i vërtetë për Tiranën” është sllogani që do të shoqërojë Lëvizjen Socialiste për Integrim në fushatën për zgjedhjet lokale të 8 majit në kryeqytet.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta dhe nënkryetarja Erisa Xhixho, njëkohësisht kandidate për njësinë bashkiake Nr.5,  shpalosën moton e LSI-së për këto zgjedhje në një takim në prani të mijërave anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI-së dhe LRI-së në amfiteatrin tek Liqeni Artificial.

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, tha se “zgjedhjet më 8 maj janë për të ardhmen e Tiranës dhe jo për të kaluarën e saj. Ndaj Tirana do të votojë për ata të rinj që do ta çojnë përpara, që do t’i zgjidhin ato probleme të jashtëzakonshme të akumuluara nga keqdrejtimi i këtij qyteti, që është kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve”.

Meta i ftoi të rinjtë e kryeqytetit që të vojnë për një të ri, i cili sjell një standard të ri jo vetëm në këtë fushatë elektorale për zgjedhjet vendore, “por një standard evropian të komunikimit, të vizionit, të sjelljes, të bashkëbisedimit me të gjithë, sikurse është kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës që do të votohet nga ju, Lulzim Basha”.

“Sepse Tirana ka nevojë për një kryetar që e do atë, ka nevojë për një kryetar që merret pa ndërprerë me problemet dhe shqetësimet e qytetit dhe të gjithë qytetarëve, sepse Tirana ka nevojë për një kryetar me vizion që’ zgjidh problemet e sotme dhe u paraprin atyre të së nesërmes”, tha Meta.