Lajme Shqip Wednesday, 30 March 2011 19:57

Shkodër – Lorenc Luka, kryetari aktual i Bashkisë së Shkodrës, që do të rikandidojë për këtë post nga “Aleanca për qytetarin”, e konsideron praninë e tij në krye të institucionit si vazhdimësi të asaj pune të mirë që është bërë në zhvillimin e qytetit.
“E vlerësoj si një proces vazhdimësie drejt realizimit të projekteve madhore që kemi filluar në Shkodër, në impaktin pozitiv që kanë dhënë ato që kemi realizuar, të cilat janë përtej pritshmërisë që kemi pasur”, shprehet kryebashkiaku që drejtoi në katër vitet e mandatit të fundit Bashkinë më të madhe të veriut, i rikandiduar sërish nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj për një mandat të dytë në krye të saj.
Sipas tij, suksesi i arritur nga administrata e Bashkisë në 4 vitet e mandatit, vjen nga  mirëkuptimi që ka pasur bashkia me komunitetin e Shkodrës, si dhe mbështetja e madhe që i ka dhënë në zbatimin e projekteve.
“Para katër vitesh prezantuam për qytetarët e Shkodrës një program zhvillimi katërvjeçar, që u realizua me sukses. Gjatë këtyre viteve kemi studiuar profilet dhe nevojat që në vazhdimësi qyteti ka, duke përgatitur një program, i cili tejkalon strategjitë që kishim në kuadrin e zhvillimit të qytetit deri në vitin 2015”, theksoi Luka.
Duke e konsideruar zbatimin e projekteve të bashkisë së Shkodrës si “shërbim ndaj komunitetit dhe bashkëqytetarëve të tij pa asnjë dallim ngjyrash politike”, Luka shton se në bashki asnjë projekt nuk është trajtuar si projekt politik, por që përmirëson jeten e qytetarëve.
“Në këtë kuadër kështu do të vazhdohet të konsiderohen për 4 vitet e mandatit të ardhshëm në drejtimin e kësaj bashkie”, thotë Luka.