Lajme Shqip Tuesday, 13 March 2012 20:00

Prishtinë-Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se qëndrimi i Beogradit zyrtar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë është i pa pranueshëm. Në një deklaratë për media pak më parë, Qeveria e Republikës së Kosovës i përkujton edhe njëherë Beogradit zyrtar se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe Serbia nuk ka asnjë lloj juridiksioni apo të drejte mbi Republikën e Kosovës.

“Vendimi i sotëm e demaskon qasjen anti-evropiane të Serbisë ndaj Kosovës si dhe demonstron që Serbia vazhdon të ushqejë politikat e shekullit të kaluar. Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë ka kontaktuar me faktorët relevant ndërkombëtar, duke ua bërë me dije që sjelljet e tilla janë të papranueshme”, thuhet në deklaratë.

Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron që tentimin i mbajtjes së zgjedhjeve të tilla do të jetë pa efekt legal juridik apo politik, dhe si të tilla do të trajtohen, pra si zgjedhje ilegale dhe pa legjitimitet demokratik.

Ndërkohë Qeveria e Kosovës i kërkon Bashkimit Evropian t’ia bëjë të qartë Serbisë se mbajtja e zgjedhjeve lokale në Kosovë është në kundërshtim jo vetëm me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me vlerat dhe parimet evropiane si dhe fton gjithë qytetarët serbë të Kosovës që të jenë pjesë e institucioneve demokratike kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, media ka njoftuar se pas presidentit serb Boris Tadiç, i cili shpalli mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në Serbi më 6 maj, mbajtjen e zgjedhjeve lokale për këtë datë e konfirmoi edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Slavica Gjukiq Dejanoviq, njoftojnë medie serbe. (LajmeShqip.com)