Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 06:47

Korçë – Nën logon “Aleanca për të ardhmen” në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” të Korçës, Partia Socialiste çeli në mbrëmjen e së martës fushatën elektorale, ku prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie dhe kryetarë komune për këtë rreth.

Kryetari i PS, Edi Rama në përshëndetjen e tij uli tonet kundër qeverrisë, duke nënvizuar alternativën për qytetarin.

“Qytetarët e kanë të qartë se zgjidhjen themelore do ta bëjmë me punë, punësim, zhvillim, me rrogat, me pensionet, me shërbimet”, tha Rama.

Duke kritikuar qeverinë, Edi Rama, tha se “qeveria shtyn ditët, shtyn kohën për të mos lënë karrigen e një pushteti të stërkonsumuar prej 20-vjetësh”. Ai akuzoi qeverinë, se ishte bërë sipas tij, “shkaktare që Shqipëria të mos pranohej në dyert e Evropës”, për shkak “të votave të vjedhura”.

Zgjedhjet e 8 majit, Rama i quajti “zgjedhje të rrezikuara”, por tha ai, “ne kurrë nuk duhet të lejojmë tërheqjen e qytetarëve përpara votës së lirë dhe duhet të shkojmë në ato zgjedhje për fitore”.

Rama vlerësoi kandidaturën e PS për bashkinë e Korçës, duke u shprehur se “ajo që ka bërë Niko Peleshi për katër vjet është një alternativë e qëndrueshme dhe projekti i tij për katër vitet e ardhshme është një alternativë e besueshme”.