Lajme Shqip Monday, 01 August 2011 17:36

Tiranë – Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka prezantuar sot rezultatet paraprake për zgjedhjet e pjesshme vendore që u zhvilluan dje në 9 komuna.

Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, theksoi se ka përfunduar numërimi në të gjitha komunat ku dje u zhvillua votimi.

Ai bëri të ditur se në zgjedhjet e pjesshme vendore, të zhvilluara dje, kanë dalë fituesit e 8 prej tyre, ku 4 komuna u fituan nga kandidatët demokratë dhe 4 të tjera nga ata socialistë, ndërsa në Finiq nuk është publikuar ende rezultati përfundimtar, pasi diferenca mes dy kandidatëve është vetëm 2 vota.

Olli bëri të ditur se në Finiq nuk po arrihet të mbyllet tabela e rezultateve për shkak se kandidatët luajnë me diferencë vetëm me 2 vota.

Sipas tij, “KQZ ka bërë dhe një vlerësim në përgjithësi të këtij procesi zgjedhor të pjesshëm, ku zgjedhjet më të mira janë shënuar në komunën e Zall Dardhës, ndërsa pjesëmarrja u arrit 52-53%”.

Olli bëri të ditur se procesi zgjedhor u dëmtua dje në Shalë të Shkodrës, ku do të rivotohet. Ai përshendeti ndërhyrjen e policsë për ndalimin e 5 personave, të cilët penguan zhvillimin e procesit zgjedhor në këtë komunë.