Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 16:50

Shkup – Takimet e intensifikuara të diasporës shqiptaro-amerikane me lidershipin shqiptar në Maqedoni, përveç që ka pasur si intencë unifikimin e partive shqiptare, siç mësohet jo zyrtarisht, ata në tavolinë kanë vënë, “edhe emra të mundshëm të kandidatëve për zgjedhjet e sivjetmë”.

Jozytarisht “Lajmeshqip” mëson se kjo kërkesë u është ofruar gjitha partive politike shqiptare, ku disa nga ata kanë kundërshtuar të njëjtën, e disa nga ata për ta shqyrtuar ofertën. Kjo, siç thonë burimet, imponon edhe pyetjen nëse diaspora shqiptare do të jetë edhe aktori kyç në përcaktimin e partnerit të ardhshëm shqiptar në qeverinë e re, por kuptohet duke u inkorporuar në njërën nga subjektet shqiptare. I gjithë ky mobilizim i diasporës vjen pas gjendjes së rëndë politike ku janë futur shqiptarët, sidomos në dy vjetët e fundit të qeverisë Gruevski. Së fundmi këto kritika të diasporës ishin apostrofuar edhe ndaj liderit të BDI-së Ali Ahmeti. Ata kishin ardhur drejtpërdrejtë nga ana e kryetarit të Lidhjes Shqiptaro- Amerikane (LSHA), Xhevat Sherifi, sipas të cilit, “Ahmeti gjatë tre viteve të fundit nuk ka bërë sa duhet për statusin e shqiptarëve në Maqedoni”. Përfaqësuesit e lidhjesh Shqiptaro-Amerikane, madje gjatë takimeve që kanë realizuar me liderët e gjitha partive politike të shqiptarëve në Maqedoni kanë sugjeruar ndryshimin e kursit politik dhe të mbajnë më shumë llogari për qytetarët, dhe jo t’i ndajnë në maqedonas dhe shqiptarë. Xhevat Sherifi, ka thënë se këtë qëndrim ia ka transmetuar personalisht edhe Ali Ahmetiti pas takimit që ka pasur me të para disa ditësh.
“Këtë ia përcolla edhe Ahmetit, mirëpo përgjigja e tij ishte se ne aq mundemi, më shumë nuk mundëm të bëjmë. Ne bëjmë përpjekje për bashkim. Të gjitha partitë kanë programet e tyre me të cilën vijnë në pushtet por ka disa pika të caktuara përmes të cilave nuk duhet të kalohet”, ka thënë për mediet Sherifi, duke shtuar se  kjo dhe ishte porosia e tyre për të gjitha partitë shqiptare. Sherifi, madje ka thënë se si diasporë po përgatiten për paraqitje në zgjedhjet e ardhshme të parakohshme parlamentare në vend, duke shtuar se, “ende nuk kanë një qëndrim konkret se a do të paraqiten së bashku me diasporën maqedonase në Amerikë dhe Kanada”. Ndërkohë, BDI duke pasur parasysh rëndësinë e diasporës shqiptare, në mbledhjen e fundit të kryesisë qendrore ka vendosur t`u drejtohet me letër.
”Me përcaktim parimor për të përcjell vullnetin burimor të bashkëkombësve tanë u lusim që pas konsultimeve të cilët do t’i bëni, pas koordinimeve që do të ndërmerrni, pas harmonizimit të cilin do e arrini, do ishte nderë dhe privilegj për ne të përkrahim kandidatin tuaj të propozuar për deputet në zgjedhjet parlamentare 2011. Sipas te gjitha dinamikave dhe afateve kohore, do kishte qenë e parapëlqyer që këto veprime t’i ndërmerrni sa më shpejtë që të mundeni për faktin që edhe ne si subjekt t’i kryejmë procedurat tjera të parapara me ligj”, thuhet në komunikatën e nënshkruar nga lideri i BDI-së Ali Ahmeti.