Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 10:52

Korçë – Kryeministri Sali Berisha prezantoi të dielën paradite kandidatin e “Aleancës për qytetarin” për bashkinë e Korçës, Andrea Mano, duke shprehur bindjen se nën drejtimin e tij qyteti në juglindje të vendit do të pësojë në 4 vitet e ardhshme transformimet më të mëdha.

Berisha e cilësoi kandidatin Mano si një nga personalitet më të shkëlqyera të Korçës, i cili me programin e tij dhe projektet që do të hartojë së bashku me qytetarët do ta shndërrojë Korçën në një qytet evropian.

“Me Andera Manon do të rindërtojmë qendrën e Korçës, do ta shndërrojmë atë në qendrën më tërheqëse turistike, në një nga nyjet me të rëndësishme të tregut, do ta shndërojmë ashtu siç ishte dikur, krenaria e qytetarëve korçarë”, u shpreh Kryeministri.

Përpra mijëra qytetarëve të pranishëm në prezantimin e kandidatit Mano, Kryeministri bëri një bilanc të investimeve që janë realizuar në këtë rajon juglindor në katër vitet e fundit, duke veçuar ndërtimin dhe rindërtimin e 380 kilometra rrugë, ndërsa u angazhua se prioritet mbetet asfaltimi i çdo kilometri në çdo cep të Shqipërisë.

Qeveria, vijoi Kryeministri, po investon në të gjitha drejtimet në mënyrë që distanca mes Korçës dhe Tiranës të shkurtohet me të paktën 50 përqind. Ai përmendi këtu investimet për autostradën Tiranë-Elbasan dhe Qukës- Qafë-Plloçë.

Në fjalën e tij, Kryeministri Berisha përmendi investimet në arsim, ku për 4 vite në këtë rajon janë ndërtuar dhe rindërtuar rreth 62 shkolla dhe është fuqizuar kampusi i universitetit, investimet në ujësjellësa e kanalizime, etj.

Duke u ndalur tek zgjedhjet vendore të 8 majit, Kryeministri vuri në dukje se kolacioni “Aleanca për qytetarin” është i vendosur qe në qendër të jetë qytetari, hallet dhe problemet e tij, punësimi.

“Ndaj kjo fushatë është betejë për rrugë më të mira, për parqe, për zhvillimin e bujqësisë, për ndërtimin e shkollave dhe tregje të lira”, tha Berisha i cili nënvizoi se kjo është beteja ku qytetarët së bashku me qeveritarët e ardhshëm do të hartojnë qindra mijëra projekte, me të cilat do të arrihet objektivi- Korça dhe Shqipëria vend i zhvilluar në vitin 2017.

Sipas kreut të qeverisë ekonomia shqiptare po ecën me shpejtësi dhe ky tregues, siç u shpreh ai është njohur dhe nga ndërkombëtarët. “Këto ditë, Brukseli njoftoi se ekonomia shqiptare eshte e vetmja ekonomi që vrapon, është e vetmja ekonomi që ecën me shpejtësi dhe në kohën e krizës më të thellë dhe ky tregues është merita juaj, pasi ju mbështetët reformat e ndërmarra nga qeveria”, tha Kryeministri duke iu drejtuar qytetarëve.

Vrapi i ekonomisë, vijoi ai, bëri të mundur që në një hark të shkurtër kohor të ndërtohen mijëra kilometra rrugë, 1200 shkolla, qindra qendra shëndetësore, të dyfishohen rrogat dhe pensionet, etj.

Nga qyteti i Korcës, Kryeministri i bëri thirrje opozitës që të votojë projekligjin për amnistinë fiskale, i cili çliron biznesin dhe qytetarët nga detyrimet e pashlyera në 20 vitet e fundit. “Biznesi është gjenaratori i punësimit dhe i së ardhmes së qytetarëve shqiptare. Ndaj të votojmë së bashku ligjin për amnistinë e tyre”, tha Kryeministri Sali Berisha.