Lajme Shqip Tuesday, 29 March 2011 16:13

Tiranë – Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Skënder Gjinushi, tha sot në një prononcim për mediat, se në përzgjedhjen e kandidaturave për zgjedhjet e 8 majit “i hapëm rrugë orekseve të PS-së”.
“Ne në këto zgjedhje do të bëjmë fushatën tonë për të rritur përfaqësimin e PSD-së, pasi zgjedhjet lokale kanë një konotacion të qartë politik. PSD këto zgjedhje i sheh vetëm si një trampolinë për të kaluar në zgjedhje të parakohshme. Ndaj, meqë kemi këtë qëllim, i kemi hapur rrugë përsëri orekseve të PS-së për kryetarë komunash e bashkish”, u shpreh Gjinushi.
Sipas tij, “bashkëpunimet kur vjen puna për ato që quhen ‘zona të lira’ gjithnjë partitë e mëdha kanë tendencën të tërheqin nga vetja. Megjithatë, ne nuk e kemi pasur këtë qëllim në vetvete, por meqë kryetarët lidhen më drejtpërdrejt me karrigen, atëhere ne këtë radhë po luftojmë më shumë për këshilltarë”.
“PSD ka dinjitetin e vet dhe ne do ta themi fjalën tonë përmes votave, si PSD”, tha ai.
Gjinushi shprehu pakënaqësinë e tij dhe për mënyrën se si aleatja e madhe, PS, po bën opozitë në vitet e fundit.
“Qartazi PSD dallon shumë nga PS në qëndrimet kryesore, pasi nuk janë e njëjta gjë. Ndonëse, dy parti aleate ne jemi për një opozitë më të fortë, më të qëndrueshme, më me dinjitet dhe pa toleranca të panevojshme e të tepruara, siç bëjnë disa në PS”, u shpreh kryetari i PSD-së.
Në zgjedhjet vendore të 8 majit PSD është pjesë e koalicionit të majtë “Aleanca për të Ardhmen”, i drejtuar nga Partia Socialiste.