Lajme Shqip Friday, 25 January 2013 09:35

TIRANE – Partia Socialiste do të nënshkruajë marrëveshje dypalëshe me secilën prej partive të koalicionit që pritet të krijohet para zgjedhjeve të 23 qershorit. Kjo është konfirmuar dje, në tryezën e kreut socialist, Edi Rama me disa prej krerëve të partive aleate, kreun e PSD-së Skënder Gjinushi, atë të PDS-së, Paskal Milo, kreun e PSV ’91, Petro Koçi, kreun e PLD, Spartak Ngjela. Në takim ka munguar kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ndërkohë që kreu i PDS-së, Milo për shkak të një angazhimi tepër të rëndësishëm, diskutoi i pari dhe kërkoi mirëkuptimin e të pranishmëve për tu larguar, sipas sqarimit që ai dha për “Gazeta Shqiptare”.

Pas 1 orë e 20 minuta diskutimesh e propozimesh, duket se aleatët kërkojnë të kenë marrëdhënie dypalëshe dhe jo kolektive me PS-në, partinë që synon të qeverisë pas 23 qershorit. Që në fillim të tryezës së aleatëve, sekretari socialist për koalicionet, Ndre Legisi ka informuar se numri i partive që i janë afruar koalicionit të PS-së është rritur dhe pritet të shtohet ende. Në përfundim të takimit kreu i PSD-së, Skënder Gjinushi, deklaroi për gazetarët se në tryezë “u diskutua mbi rrugën që do të ndjekë opozita shqiptare për të hyrë në fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. “Ky është fillim i mbarë. Tashmë e rëndësishme është që opozita ka një platformë bindëse. Më pas do të diskutohet edhe marrëveshja për formën e bashkëpunimit. Ka një marrëveshje për të realizuar fitoren në zgjedhje dhe një për të qeverisur vendin në zgjedhjet e ardhshme”, tha Gjinushi.

Ndërkohë, kreu i PDS-së, Paskal Milo ka bërë disa propozime. Milo kërkoi që të hartohet një platformë e përbashkët opozitare, të përshpejtohet edhe hartimi i një projektmarrëveshjeje për krijimin e koalicionit. Milo u ka sugjeruar aleatëve që fryma e takimeve institucionale që zhvillohen në Tiranë duhet përcjellë edhe në strukturat lokale të secilës parti. Një propozim tjetër i Milos ka të bëjë me intensifikimin e takimeve dhe shfaqjen përpara popullit opozitar së bashku, për të dhënë mesazhin e bashkimit.

Ndërkaq në fund të takimit kreu i PSV 91, Petro Koçi, theksoi se, “riaktivizimi i koalicionit me rreth 30 parti është mjaft i mirë për Shqipërinë, sepse ka të bëjë me objektivin për të fituar zgjedhjet”. Sipas tij, boshti i këtij koalicioni do të jetë rikthimi i politikës tek ndërgjegjja kombëtare që kërkojnë qytetarët. “Duke përputhur forcën organizative me numrin e nevojshëm të partive në koalicion, nevoja e qytetarëve për ndryshim do të realizohet”.

Ndërsa kreu i Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela u shpreh se, “është vendosur të rritet spektri i partive të koalicionit, ka arritur 30 dhe mund të rritet akoma. Por çështja është tek fushata elektorale. Çdo njeri duhet të dijë të bëjë fushatë elektorale dhe duhet të jetë krijues për mbrojtjen e votës”.

Vangjel Dule: Jo në koalicion me AK e PDIU
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për të mos bërë koalicion me parti, të cilat kanë probleme të rënda demokracinë dhe shtetin e së drejtës”. Këtë vendim ka marrë PBDNJ, aleate e PS-së. Në një prononcim televiziv, kreu i saj, Vangjel Dule, duke ju referuar Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Aleancës Kuq e Zi, u shpreh se: “Është e njohur publikisht se PBDNJ nuk do të bashkëpunojë me forcat politike të cilat kanë probleme me vizionin europian dhe me demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Rrjedhimisht nuk ka hapësirë bashkëpunimi të PBDNJ me kategori të tilla forcash politike”. Por, shtoi Dule, “kjo nuk do të jetë prioritet vetëm i PBDNJ, është një aspekt tejet negativ i jetës politike të vendit tonë, ku forca serioze politike, qeverisëse, siç janë PS e PD flirtojnë për bashkëpunime me forca të tilla politike të cilat cenojnë rëndë profilin europian të sistemit tonë politik dhe situatës politike”.(LajmeShqip.com)