Lajme Shqip Saturday, 09 April 2011 14:41

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet vendore të 8 majit, prezantoi në Fushë Krujë kandidatin për kryetar Bashkie të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Bilal Stafuka.

Nënkryetarja e PD-së, vlerësoi kandidatin Stafuka, i cili vjen nga fusha e mjekësisë dhe gëzon një emër shumë të mirë në komunitet për përkujdesjen dhe përkushtimin ndaj banorëve.

Në këto zgjedhje përparësi për Bashkinë e Fushë Krujës do të jenë realizimi i Unazës, një investim prej disa miliona dollarësh, sistemimi i argjinaturave të lumit të zonës për të shmangur rrezikun e përmbytjeve, shpërblimi i të gjithë dëmeve nga përmbytjet, si dhe programe të tjera zhvillimi e integrimi social.

Kryeparlamentarja Topalli në fjalën e saj tha se koalicioni “Aleanca për qytetarin”, në zgjedhjet e 8 majit ka synuar që në drejtimin e njësive lokale dhe administrative të jenë njerëz me integritet dhe me reputacion të mirë, kandidatë që kanë përkushtim dhe devocion ndaj njerëzve.

Ajo theksoi se maxhoranca qeverisëse vjen në këtë prag zgjedhjesh para qytetarëve me një bilanc suksesesh, ku arritja më e madhe historike, që i ka dhënë dinjitetin e merituar shqiptarëve, është heqja e vizave.

Duke iu referuar opozitës socialiste, Topalli tha se kreu i saj, Edi Rama vjen si një humbës i madh i çdo beteje politike. “E vetmja rrugë e tij është rruga e shpifjes, rruga e konfliktit dhe e urrejtjes”, nënvizoi ajo.