Lajme Shqip Monday, 20 February 2012 13:30

Prishtinë – Niveli i lartë i korrupsionit dhe krimit të organizuar kanë mjegulluar të ardhmen e Kosovës, fenomen ky që është mbjellë e zhvilluar kryesisht nga elita politike. Të paktën ky është vlerësimi i shoqërisë civile, por edhe i opozitës, të cilët theksojnë se institucionet shtetërore s’kanë vullnet politik për ta luftuar korrupsionin, i cili ka depërtuar në çdo pore të jetës, transmeton gazeta e Prishtinës “Zëri”.

Madje, askush nuk beson se sivjet do të ketë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe në fushën e sundimit të ligjit, që cilësohet mision i pamundur. Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në njërën anë dhe Brukseli në anën tjetër, vazhdimisht kanë kërkuar nga institucionet kosovare që të jenë më efikase në luftën kundër korrupsionit.

Vetëm një ditë më parë, zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, William Burns kërkoi nga Prishtina zyrtare që të fokusohet në sendërtimin e rendit dhe ligjit me qëllim të luftimit të korrupsionit.

Edhe Brukseli ka shfaqur brengën për aktivitetet kriminale të nivelit të lartë dhe për sundimin e ligjit në Kosovë. Raportet ndërkombëtare flasin për nevojën e adresimit të këtyre sfidave, derisa institucionet e Kosovës janë kritikuar për mungesë të vullnetit për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Këto dukuri negative konsiderohet se po luftohen me fjalë, por jo edhe me vepra.

Edhe shoqëria civile në Kosovë shfaq të njëjtin mendim, duke bërë përgjegjëse për dështim institucionet shtetërore. Sipas shoqërisë civile, e vetmja rrugë për paqe të qëndrueshme në Kosovë është lufta kundër korrupsionit, pikërisht nga institucionet e shtetit të Kosovës, si dhe shkëputja e lidhjeve të elitës politike me krimin e organizuar dhe korrupsionin.