Lajme Shqip Saturday, 03 March 2012 12:13

Tiranë (PLOTESUAR 3 mars 16:15) Sajmir Tahiri është zgjedhur kryetari i ri i Partisë Socialistë në Tiranë pas dorëheqjes së Besnik Bares në këtë post.

520 nga 620 anëtarët e Asamblesë së zgjeruar të Tiranës, votuan sot për dy kandidatët, Sajmir Tahirit, kryetar i komanduar pas dorëheqjes së Bares dhe Ilir Zelën.

Pas numërimi të votave, PS njoftoi se Tahiri kishte marrë 390 vota, ndërsa Zela 153, rezultat ky që e bën Tahirin kren e ri të partisë për Tiranën.

“Dua të falenderoj ata që më votuan. Do të bëj cfarë është e mundur të fitoj besimin e tyre. Ky proces na bën të gjithëve më të fortë, gjithcka është në dorën tonë për të shkuar më të fortë në zgjedhjet e ardhshme” u shpreh Tahiri për News24.

Ndërkohë vetë kreu i Partisë Socialiste Edi Rama e cilësoi procesin transparent, etik dhe gjithëpërfshirës, në një mesazh të publikuar në rrjetin social Twitter.

***************************

Tiranë- Partia Socialiste zgjedh sot kryetarin e ri për degën e Tiranës. Në garë për këtë post janë Ilir Zela dhe Sajmir Tahiri, të cilët gjatë ditëve të fundit kanë shpalosur platformën e tyre për kryeqytetin.

Në mbledhjen e saponisur në sallën e Teatrit të Operës dhe Baletit, sekretari organizativ i PS-së, Blendi Klosi tha se, gara në Tiranë është dëshmi e faktit se dy kandidatët janë të gatshëm të kontribuojnë në transformimin e vendit.

Më pas, kandidatët për kreun e PS-së së Tiranës, Zela dhe Tahiri do të prezantojnë platformat e tyre për degën më të madhe të socialistëve në vend.

Ndërkohë, do të jenë 620 anëtarët e Asamblesë së zgjeruar të Tiranës që do të zgjedhin mes dy kandidaturave. Pas votimit në Tiranë, socialistët do të zgjedhin drejtuesit lokalë edhe në 117 njësitë e tjera në të gjithë vendin. (LajmeShqip.com)