Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 15:13

Prishtinë – Hajna ose persona profesionistë që kërkonin materiale apo dokumentacione kanë thyer në orët e hershme të mëngjesit zyrat e gazetarit Milaim Zeka, i cili është drejtues i një programi në Televizionin Publik. Gazetari Zeka tregon se i është vjedhur një kamerë e fshehtë, por jo edhe materiale të tjera, pasi nuk i kishte lënë aty.

Thyerja e zyrave të gazetarit në lagjen Pejton në Prishtinë ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit dhe policia ende është duke bërë ekzaminimet për të gjetur gjurmët e personave që kanë kryer këtë akt kundërligjor. Vetë Zeka thotë se dyshon nëse ata që kanë thyer zyret kanë qenë thjeshtë hajna, pasi kanë kërkuar dokumentacion dhe kaseta.

Gazetari Milaim Zeka ka kohë që në kuadër të emisionit të tij “Pa Rrotlla” është duke emetuar kronika për një sërë keqpërdorimesh të milionave eurove, ku janë të përfshirë zyrtarë të lartë ndërkombëtarë.

Ai tregon se pas raportimeve mbi keqpërdorimet e 33 milionëve që janë bërë nga ndërkombëtarët me kontraktën sekrete të Ferronikelit me KEK-un, së fundi kanë raportuar edhe për vjedhjet që janë bërë në PTK e nëpër disa banka.

Më tutje, drejtuesi i emisioni “Pa Rrotlla” në Televizionin Publik (RTK) tregon se kjo kronikë ku është folur për keqpërdorimet e ndërkombëtarëve prej milionave euro në PTK ka nxitur edhe reagimin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO).

Gazetari Zeka theksoi se presionet ndaj tij nga zyrtarë të ICO-së janë bërë, sepse në vjedhjen e 15 milionë eurove të PTK-së dyshohet të ketë qenë i përfshirë edhe një këshilltar i Feithit, ndërsa shpreh dyshime se kjo ndoshta është që edhe arsye thyerjes profesionale të zyreve të tij.

Ndryshe mbetet që pas mbarimit të analizave të policisë të shihet se kush ka thyer zyret e gazetarit Milam Zeka dhe cili ka qenë qëllimi i atyre personave.