Lajme Shqip Monday, 12 December 2011 11:08

Marsejë- Gjatë Kongresit të Partisë Popullore Evropiane, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha zhvilloi një takim me Antonis Samaras, kreun e partisë së djathtë opozitare greke Demokracia e Re.

Kryetari i Partisë Demokracia e Re, Samaras i propozoi kryeministrit shqiptar Sali Berisha, që dy vendet të shqyrtojnë përsëri marrëveshjen për përcakimin e kufijve të zonave detare dhe të shelfit kontinental midis tyre.

Sipas mediave elektronike greke, zoti Berisha e përshëndeti propozimin e kryetarit të Demokracisë së Re, dhe të dy ranë dakord të përfundojnë një marrëveshje të re mes tyre, kur opozita e djathtë të vijë në pushtet dhe kreu i saj, Samaras të bëhet kryeministër.

Në prill 2009, ish kryeministri grek Kostas Karamanlis nënshkroi marrëveshje me homologun e tij shqiptar Sali Berisha për caktimin e kufijve të zonave detare dhe të shelfit kontinental. Marrëveshja shkaktoi reagime nga partitë politike në Shqipëri, të cilat e akuzuan qeverinë se ka “shitur” në Greqi zonat detare shqiptare. Partia Socialiste shqiptare apeloi kundër marrëveshjes në Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, e cila e anuloi atë.

Tani iniciativa e Samaras dhe pranimi i saj nga Berisha krijon mundësi për përpilimin e një marrëveshjeje të re, gjithmonë nëse opozita konservatore greke fiton zgjedhjet dhe Samaras bëhet kryeministër.

Kreu i opozitës së djathtë greke Antonis Samaras, kërkoi gjithashtu nga kryeministri shqiptar, respekt të plotë për të drejtat politike dhe sociale të minoritetit grek, i cili jeton brenda kufijve të shtetit shqiptar, duke theksuar se “minoriteti është ura më e mirë e miqësisë në mes të dy vendeve”.

U diskutuan çështje me interes për minoritetin grek, duke përfshirë edhe atë të eliminimit të përkatësisë etnike dhe fesë nga dokumentet, çështjet e pasurive të patundshme, arsimit etj