Lajme Shqip Tuesday, 15 April 2014 11:55

Ky studim, që publikohet nga “Gazeta Shqiptare”, u hartua nga një kolonel dhe dy nënkolonelë në reserve. Aty sugjerohet miratimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve. Qendra Kombëtare e Sigurisë dhe e Mbrojtjes, është një institucion në varësi të ministres së Mbrojtjes. Studimi i tre ushtarakëve të lartë i përket dhjetorit 2013.

PROJEKT NË FUSHËN E MBROJTJES MIDIS RSH DHE RK

PËRMBAJTJA

A. Ideja e Projektit Studimor

“Non-Paper”

B. Fushat e projekteve të përbashkëta të bashkëpunimit

1. Projekti i arsimimit dhe trajnimit të personelit ushtarak dhe civil dhe studimeve master dhe doktoraturë.
2. Projekti në fushën e Emergjencave Civile.
3. Projekti i një njësie të përbashkët për misione të paqes.
4. Projekti për stërvitje të përbashkëta midis njësive/ekipeve për operacione të mbështetjes së paqes.
5. Projekt i përbashkët për kryerjen e prokurimeve të përbashkëta.
6. Projekt i përbashkët në fushën e mirëmbajtjes së pajisjeve dhe sistemeve.
7. Projekt i përbashkët në fushën e shkatërrimit të municioneve të vjetra e të tepërta.
8. Projekt në fushën e kapaciteteve të vëzhgimit dhe policimit të hapësirës ajrore.
9. Projekt i përbashkët mbi ngritjen e një kapaciteti detar të Kosovës në territorin e RSH.
10. Projekt për pjesëmarrjen në iniciativat rajonale, si në SEDM/SEEBRIG, në iniciativën A5, në Balkan Battlegroup të BE, dhe në Qendrat e Ekselencës së NATO-s.
11. Projekt për krijimin e një Instituti të përbashkët të Studimeve Strategjike bazuar në eksperiencën e Qendrës Kombëtare të Sigurisë dhe Mbrojtjes së RSH.
12. Ngritja e një ekipi të përbashkët Task-Forcë për mbështetjen e Kosovës në procesin e integrimit në NATO.
13. Një grup i përbashkët për dokumentet strategjike, standardizimin, doktrinat dhe manualet e përbashkëta për Operacione në Mbështetje të Paqes.

A. IDEJA E PROJEKTIT STUDIMOR “NON-PAPER”

Dy vendet tona, Shqipëria dhe Kosova, janë dy vende të vogla të rajonit të Ballkanit. Na bashkojnë shumë gjëra së bashku: historia, kultura, vlerat, gjuha, perspektiva, afërsia gjeografike, dhe shumë vlera të tjera. Për këto e shumë arsye të tjera, kemi vendosur të jemi partnerë strategjikë, sepse kemi interesa strategjike të përbashkëta.

Nga ana tjetër, kapacitetet njerëzore, financiare dhe materiale të shteteve tona janë të kufizuara, dhe shpesh jo të menaxhuara me efektivitetin e duhur.

Ka ardhur koha të vendosim marrëdhënie në nivelin më të lartë për të mirën e dy vendeve tona.

Jemi në kohën e duhur që Shqipëria dhe Kosova të zyrtarizojnë një marrëveshje të partneritetit strategjik të ratifikuar nga dy parlamentet tona.

Kjo marrëveshje mund të përfshijë fushat kryesore të zhvillimit ekonomik, tregtisë, transportit, energjisë, turizmit, kulturës, por edhe fushën e diplomacisë, të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Synimi i saj duhet të jetë lehtësimi dhe mbështetja e projekteve të përbashkëta në interes të zhvillimit të përshpejtuar të dy vendeve tona, sipas parimit që, ato gjëra që nuk i bëjmë dot veç e veç mund t’i bëjmë së bashku, duke prodhuar sinergji dhe kursyer resurse të nevojshme.

Kjo “Non-Paper” trajton një frymë të re bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes.

Takimi i dy qeverive është një rast i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën për një këndvështrim të ri, në planin e bashkëpunimit afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë në fushën e mbrojtjes.

Përtej aktiviteteve tradicionale që janë zhvilluar deri tani midis institucioneve të mbrojtjes të të dyja vendeve, duhet të kalojmë në një fazë më të avancuar të zbatimit të projekteve të përbashkëta me interes reciprok në fushën e mbrojtjes.

Formati i bashkëpunimit duhet të bazohet në formatin e “smart defence” apo “pooling and sharing” të disa kapaciteteve, aty ku ekzistojnë mundësia dhe vullneti politik.

Shumë nga fushat e bashkëpunimit që janë sensitive për shkak të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të mosnjohjes përfundimtare të RK nga kjo organizatë, mund të lihen për periudhën afatmesme dhe afatgjatë, siç janë ato për zhvillimin e kapaciteteve luftarake të përbashkëta (combat).

Projektet e tjera që kanë pak ose aspak sensivitet dhe që lidhen me aktivitete joluftarake (non-combat), mund të konceptohen qysh tani dhe të zbatohen në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme.

(GSH)