Lajme Shqip Tuesday, 15 September 2015 15:08

Shoqëria civile ka dorëzuar peticionin me mbi 50 mijë nënshkrime te përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar.

 Peticioni është nënshkruar nga qytetarët të cilët kërkojnë liberalizim të vizave.

Njëri nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, Luan Shllaku tha se nga ky peticion kanë dalë dy mesazhe për Bashkimin Evropian dhe institucionet e Kosovës.

Sipas tij mesazhi i parë është që Kosova të trajtohet njëjtë sikurse vendet tjera si dhe Qeveria e Kosovës të jetë më e përkushtuar për përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave.

Ndërsa, mesazhi i dytë sipas Shllakut ka të bëjë me atë se qytetarët e Kosovës po pengohen në realizimin e aktiviteteve të tyre ekonomike, kulturore dhe sportive.

Ndërsa, përfaqësuesi i BE-së, Samuel Zbogar tha se mesazhi i vetëm që mund t’ua kthejë qytetarëve të Kosovës është se Komisioni Evropian gjatë vjeshtës do të mblidhet për të bërë një raport lidhur me heqjen e vizave, duke thënë se tash janë në fund të rrugës, raporton KP.

“Po shihet drita në fund të tunelit dhe nuk duhet të kërkojmë fajtorë”, tha Zbogar

Aktivistët e shoqërisë civile aktivitetin e tyre e kanë vazhduar edhe te Ministria e Integrimeve Evropiane që edhe atyre t’ua dorëzojë peticionin me nënshkrimet e mbledhura.