Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 09:00

Prishtinë-Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar dhe shefi i EULEX-it, Ksavier De Marnak kanë prezantuar tri prioritete të angazhimit të BE-së në Kosovë gjatë këtij viti.

Kthimi i normalitetit në veri, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit bashkë me liberalizimin e vizave, janë potencuar si top prioritetet e strukturave të BE-së të angazhuara në Kosovë.

Këto komente, Zbogar dhe Marnak i kanë bërë gjatë një pritjeje të përbashkët për media.

Me këtë rast, Përfaqësuesi i BE-së, prej tani e tutje edhe Shefi i Zyrës së BE-së, Samuel Zbogar edhe zyrtarisht ka nisur punën e tij në këtë post.

Ai tha se do ta mbështesë në vazhdimësi dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit si dhe do të angazhohet që t’i ndihmojë institucionet në procesin e liberalizimit të vizave.

Njëherësh, ka thënë Zbogar, BE do të ndihmojë në vazhdimësi edhe në procesin e kthimit të rendit dhe ligjit në veri.

Të njëjtat prioritete i ka përmendur më pas edhe shefi i misionit të BE-së për sundim të ligjit – EULEX, Ksavier de Marnak.

“Ndihmesa e EULEX-it për institucionet në procesin e liberalizimit të vizave, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe vendosja e rendit dhe ligjit në veri janë tri prioritetet e EULEX-it”, ka thënë Marnak.

Ndryshe, ministri i deritashëm i Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Zbogar, u emërua në krye të Zyrës së BE-së në Kosovë, më 21 dhjetor 2011. Të martën ai pritet të nisë edhe takimet e para me udhëheqësit e institucioneve të Kosovës. (LajmeShqip.com)