Lajme Shqip Thursday, 01 March 2012 19:25

Prishtinë-Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, siguroi sot në Graçanicë përfaqësuesit serbë se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të siguruar mirëqenie për të gjitha komunitetet në Kosovë dhe do të vazhdojë të ofrojë ndihmë politike dhe financiare.

Zyra e BE-së në Kosovë bën të ditur se Zbogar, në vizitën në Graçanicë, zhvilloi takime të veçanta me kryetarin e  komunës, Bojan Stojanovic dhe me anëtaren e Kuvendit të Kosovës dhe udhëheqëse e Lëvizjes Evropiane të Serbëve në Kosovë, Rada Trajkovic.

Kryetari Stojanoviç e falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen dhënë komunës së Graçanicës si dhe komunitetit serb në tërësi, dhe e informoi EUSR/Shefin e Zyrës së BE-së rreth sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet kjo komunë e re në funksionimin e saj të përditshëm.

Trajkoviç nënvizoi rëndësinë që ka Bashkimi Evropian për të çuar me përpara interesat e serbëve dhe integrimin e tyre në shoqërinë kosovare.