Lajme Shqip Friday, 07 December 2012 08:00

Prishtinë – Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Prishtinë, Samuel Zbogar, është shprehur optimist për nisjen e bisedimeve për nënshkrimin e MSA-së mes Brukselit dhe Kosovës.

Opinionin e tij ai e ka dhënë gjatë një vizite në qytetin e Ferizajt, ku është takuar me kryetarin e komunës, Agim Aliu. Zbogar ka thënë se Bashkimi Evropian ka në agjendën e vet ndihmën për procesin integrues të Kosovës.

“Besoj se BE-ja do të konfirmojnë rekomandimet që kanë dalë nga Studimi i Fizibilitetit dhe do të miratojnë fillimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asociimin dhe ky do të jete një hap i madh përpara për Kosovën”, ka deklaruar Zhbogar.

Kosova shpreson që të marrë dritën jeshile për nisjen e MSA-së, përmes të cilës synon të arrijë më pas liberalizimin e vizave në zonën Schengen, transmeton TCH.

Qeveria kosovare ka deklaruar se do t’i plotësojë në kohë rekord rekomandimet e dhëna nga Brukseli për të arritur këtë objektiv kaq të rëndësishëm për kosovarët.(LajmeShqip.com)