Lajme Shqip Monday, 06 February 2012 18:24

Prishtinë -Samuel Zbogar, Përfaqësues Special i BE-së dhe shef i Zyrës së BE-së ka nisur aktvitetet zyrtare në misionin në Kosovë.

Zbogar dhe Xavier de Marnhac, shefi i misionit të EULEX-it, do t’u adresohen sonte të ftuarve në pritjen e organizuar nga BE, në një hotel në periferi të Prishtinës.    

Nesër, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga pret në takim Samuel Zbogar, Përfaqësues Special i Bashkimit Evropian për Kosovën dhe njëkohëshisht Kryesues i Zyrës Evropiane në Kosovë.

Media ka njoftuar se me rastin e emërimit, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, ka thënë se pret bashkëpunim të ngushtë me Zbogar, i cili, sipas saj, ka njohuri të mëdha për rajonin dhe përvojë të gjatë diplomatike. Mandati i Zbogar nga 1 shkurt 2012 do të vazhdojë deri më 30 qershor të vitit 2013.

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, më 23 janar në Slloveni, është pritur në një takim pune nga Ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Samuel Zbogar.

Në takim është diskutuar për tre tema që kanë të bëjnë me marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, për proceset politike dhe shtetndërtuese të Republikës së Kosovës si dhe për axhendën evropiane të Kosovës.

Në njoftimin për takimin të MPJ-së kosovare thuhej se më 21 dhjetor 2011, Bashkimi Evropian ka emëruar Ministrin aktual të Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Samuel Zbogar, në krye të Zyrës së BE-së në Kosovë.