Tiranë – Kolegji Zgjedhor zbardhi të martën vendimin e publikuar më 8 korrik, ku argumenton arsyet e rrëzimit të kërkesës ankimore të Partisë Socialiste, që kërkonte pavlefshmëri të votimit për Bashkinë Tiranë.
Vendimi, i përmbledhur në 8 faqe dhe i nënshkruar nga pesë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor, arsyeton se ankimimi i PS-së u rrëzua pasi ishte jashtë afateve ligjore.
“Kolegji konstaton se neni 123 dhe 160, pika 2 e kodit zgjedhor, ka afatin 3 ditor për të kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve. Paditësi nuk e ka respektuar afatin dhe ky afat nuk mund të zgjatet pasi është afat preskluziv”, thuhet në vendim.
Më 8 korrik Kolegji Zgjedhor rrëzoi kërkesë-padinë e Partisë Socialiste, që kërkonte shpalljen të pavlefshëm të vendimit të KQZ-së të 25 qershorit, që shpalli fitues me 93 vota kandidatin demokrat, Lulzim Basha, si dhe për pavlefshmëri në Tiranë.
Në komunikimin e vendimit, relatorja e çështjes, gjyqtarja Sashenka Jonuzi, tha se Kolegji rrëzoi kërkesën ankimore të PS-së për pavlefshmërinë e zgjedhjeve, duke argumentuar se padia e socialistëve i kishte tejkaluar afatet.