Lajme Shqip Thursday, 13 June 2013 10:12

Prishtinë – Më 4 qershor 2013, prokurorja e EULEX-it, Nina Grande, ka vendosur t’i zgjerojë hetimet për të përfshirë akuza të reja kundër Natalie Veliajt, Fisnik dhe Betim Blakajt, si dhe për të përfshirë shtatë të pandehur të rinj. Këtë propozim prokurorja e EULEX-it e ka dërguar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku dje është mbajtur edhe një seancë dëgjimore.

“Ekziston dëshmia që tregon se Natalie Veliaj ishte në posedim të afro 1.5 milionë eurove. Llogaritë e saj bankare tregojnë se ajo tërhoqi 648 000 euro para të gatshme dhe pjesën tjetër të parave e transferoi në disa llogari të tjera bankare të kompanive dhe të të dyshuarve të fundit, Nazmi Thaçi, Adriatik Thaçi, Ergyn Dogani, Jakup Blakori, Hashim Shala, Imer Fazlia dhe Sefedin Shala. Velijaj gjithashtu ka transferuar të holla për kompaninë “FIMEX”, kompani me të cilën ajo dhe Fisnik Blakaj janë të lidhur me Betim Blakajn, shkruan “Kosova Sot”.
Prokuroria është ende duke hetuar se çfarë ka ndodhur me paratë, pasi u transferuan te personat e përmendur nga Natalie Veliaj.
Pavarësisht kërkesës së prokurores, gjyqtarja Allten Murseli ka vendosur të shtojë paraburgimin me një muaj për Natalie Veliajn dhe t’i lërë në masën e arrestit shtëpiak vëllezërit Blakaj.