Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 17:41

Prishtinë – Njëzet e tetë vjeçarja Ylfete Fanaj, me origjinë nga qyteti i Prizrenit, u bë shqiptarja e parë, e cila është zgjedhur për deputete në Kuvendin e kantonit zvicerian Lucern.

Fanaj, e cila është anëtare e Partisë Solcialdemokrate të Zvicrës është aktive në fushën e politikës një periudhë të gjatë kohe. Ajo deri më tani ka qenë anëtare e Këshillit të qytetit të Lucernit, ndërsa është kryetare e acociacionit të njohur zvicerian.

Duke e shprehur gëzimin e saj që ka arritur të bëhet deputete në Kuvendin e kantonit të Lucernit, Fanaj në deklaratën për mediat kosovare ia uroi zgjedhjen Atifete Jahjagës për presidente të Republikës së Kosovës.

“Zgjedhja e një gruaje për kryetare të shtetit paraqet befasi historike për popullin tonë dhe pa dyshim sukses në barazinë gjinore dhe demokracinë në Kosovë, me çka i dërgojmë mesazh të qartë botës se kemi gra të afta”, deklaroi Fanaj për mediat kosovare.