Lajme Shqip Tuesday, 01 November 2011 11:09

Pas një marrëveshje që u arrit në Konferencën e Kryetarëve të grupeve parlamentare iu dha mundësia opozitës shqiptare, që të propozojë një kandidaturë të sajën në këshillin mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Ajo ka të drejtën e një emri nga tre emra që do të dalin nga votat e Kuvendit, ku një është e grupit të PD-së dhe bëhet fjalë për Dhori Kulen, tjetri i LSI-së.

Mësohet se PS ka propozuar Ermelinda Meksin për këtë post duke i dhënë mundësinë ekonomistes së PS-së, ish-ministre e Financave dhe e Integrimit që të jetë anëtare e këshillit mbikëqyrës të BSH-së.

Largimi i Meksit nga grupit i deputetëve të PS-së sjell një risi të vërtetë në përbërjen e këtij grupi, pasi i jepet mundësia djalit të Fatmir Xhindit, Anduel Xhindi, të bëhet deputeti më i ri i Partisë Socialiste.

Ndërkohë që i ati u vra në prag të fushatës zgjedhore të vitit 2009, deputet në disa legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë, Andueli duket se do të zërë vendin e tij në Kuvend vetëm dy vjet pas kësaj tragjedie.