Lajme Shqip Sunday, 28 July 2013 14:47

Tiranë – Ish-deputeti demokrat, Selami Xhepa, ka akuzuar Lulzim Bashës se është vënë në krye të PD-së për të mbrojtur Berishën. Sipas tij, Basha ka qenë i paracaktuar si pasardhës i Berishës në krye të PD-së.
“Fakti që z.Basha ishte i përzgjedhur si pasardhës dhe shihet nga shumëkush si protektor i interesave politike të vete z.Berisha, sigurisht që është problematik. Nëse z.Basha do të ishte zgjedhur si kryetar i PD pa përfshirjen e z.Berisha, them se ai do shihej si lideri i vërtetë nga çdo demokrat. Tani do të duhet shumë kohë që kjo çështje të kapërcehet. Vetem nëse vetë z.Basha do të bëjë atë që z.Mustafaj theksoi që “ai t’i tregoje vendin vetë z.Berisha”. Gjë që nuk ka asnjë gjasë të ndodhë”, shprehet Xhepa për “Shqiptarja.com”.
“Procesi i garës ishte i deformuar, përkrahës të z.Olldashi nuk u regjistruan për votim, u ushtruan presione politike të shëmtuara në favor të fituesit të garës, fletët e votimit ishin të identifikueshme (dhe bie dakord me cilësimin e z.Lubonja), etj. PD humbi realisht një shans të madh të ripërtëritjes/rithemelimit të saj, gjë që nuk të krijon entuziazëm për të ardhmen e saj edhe në opozitë”, vijon ai, ndërkohë që ka përshëndetur deklaratat e Patozit për denoncimin e asaj që ndodhi me garën për kreun e PD-së.