Lajme Shqip Thursday, 06 June 2013 14:36

Prishtinë – Kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka refuzuar të paraqitet në një intervistë në cilësinë e dëshmitarit, në të cilën është ftuar nga misioni i EULEX-it. Xhemajli është ftuar përmes telefonit nga EULEX-i që të intervistohet në lidhje me një nga proceset që po zhvillohet kundër luftëtarëve të UÇK-së.
“Xhemajli, ka konfirmuar se nuk do të paraqitet para organeve të EULEX-it me vetdëshirë. Ky vendim i kryetarit Muharrem Xhemajli, bazohet në vendimin 05/2011 të Këshillit Drejtues të OVL të UÇK-së mbajtur me 7 maj 2011”, thuhet në njoftimin e OVL të UÇK-së.
Veç tjerash, OVL E UÇK-se fton veteranët e luftës, që të mos i përgjigjen EULEX-it dhe të mos njohin autoritetin e këtij misioni. 
“OVL të UÇK-së iu bën thirrje të gjithë veteranëve të luftës, që të mos njohin autoritetin e EULEX-it në Kosovë, të mos i përgjigjen ftesave të tyre, të mos japin asnjë lloj deklarate pranë organeve të këtij misioni në asnjë rrethanë, edhe në rast se arrestohen për të ashtuquajtura krime të luftës”, thuhet në njoftim.