Lajme Shqip Wednesday, 31 October 2012 16:35

Mitrovicë – Rrëmbimi dhe arrestimi i Sllavoljub Joviqit me nofkën “Pagi” nga ana e xhandarmërisë së Serbisë ka shkaktuar tërmet në Policinë e Kosovës, si dhe në KFOR e EULEX, raporton korrespodenti i gazetës “Koha Ditore” nga Mitrovica.

Policia e Kosovës arrestimin e Joviqit e ka cilësuar si rrëmbim dhe për këtë do të hapen proceduar hetimore. Besim Hoti, zëdhënës i policisë për rajonin e Mitrovicës, ka theksuar se PK-ja është informuar për një kidnapim që ka ndodhur në veri të Mitrovicës.

Kidnapuesit nuk kanë pasuar ndonjë shenjë që të mund të identifikoheshin se cilës organizatë apo grup i përkasin, kurse dyshime se kidnapimi mund të jetë edhe qërim hesapesh mes bandave kriminale. Për rastin në fjalë është njoftuar edhe prokurori dhe gjatë ditës pritet të hapen edhe hetimet lidhur me këtë rast.

Në anën tjetër, rreth mesditës, komandanti i KFOR-it, Volker Halbauer ka thirrur një takim urgjent të gjithë komandantë e njësiteve të KFOR-it. Ai ka kërkuar shpjegime detaje se si ka qenë e munduar që xhandarmëria serbe të futet në Kosovë, të arrestojë një person dhe të dalë nga Kosova po u vërejtur, kanë njoftuar burime të gazetës.

Takimi në COMKFOR ka kaluar me tensione për shkak të këtij skandali që është më i madhi që pas përfundimit të luftës në Kosovë.

“Hyrja e xhandarmërisë serbe në Kosovë dhe kidnapimi në pikë të ditës i një qytetari të Kosovës është shkelja më e rëndë që Serbia i ka bërë marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës. Kjo është një fyerje dhe poshtërim që i është bërë NATO-s, KFOR-it, EULEX-it, por edhe Policisë së Kosovës nga ana e Qeverisë së Beogradit”, ka thënë për Kohën Ditore një burim ndërkombëtar nga KFOR-i, i cili ka dashur të mbetet anonim.

Ndryshe, Sllavoljub Joviq, është kidnapuar nga Xhandarmëria e Serbisë të mërkurën rreth orës 9:00 në oborrin e spitalit në veri të Mitrovicës, kanë njoftuar burime të “Koha Ditore”. Sipas burimeve, Joviqit në oborrin e Spitalit i është vënë një thes në kokë dhe me dhunë është futur në një xhip me ngjyrë të zezë.

Në këtë operacion të xhandarmërisë së Serbisë, kanë marr pjesë mbi 20 pjesëtarë të kësaj policie me 5 xhipa të zinj si dhe një autoambulancë. Xhandarët serbë kanë qenë të maskuar dhe të pajisur me armë të shkurta “Shkorpion”, ka thënë burimi i gazetës. Xhandarë serbë me “plaçkën” e tyre tanimë e kanë lëshuar teritorin e Kosovës duke u futur në Serbi përmes pikëkalimit ilegal kufitare në fshatin Tresav të Leposaviqit.(LajmeShqip.com)