Lajme Shqip Friday, 09 September 2011 19:11

Prishtinë – Zv/kryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, tha se nuk mund të hapet çështja e ndarjeve territoriale, sepse një eksperimentim i tillë është i rrezikshëm për stabilitetin politik në rajon. Zv/kryeministri i Maqedonisë u takua sot në Prishtinë me Kryeministrin Hashim Thaçi dhe Zv/kryeministrin e Hajredin Kuqi.

Në takim me Zv/kryeministrin e Maqedonisë Musa Xhaferi, Kryeministri Thaçi ka potencuar përkushtimin e Kosovës në ndërtimin e mardhënieve të mira me fqinjët e saj e, që është në funksion të thellimit të bashkëpunimit rajonal, si një ndër parakushtet kryesore për integrimin e plotë të të gjitha vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Zv/kryeministri Xhaferi u prit, po ashtu, nga homologu i tij Hajredin Kuçi. Xhaferi tha se ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, reflektohen edhe në Maqedoni, ndërsa hapja e çështjes së ndarjeve territoriale rrezikon stabilitetin rajonal.

Zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë nuk kanë asnjë çështje të hapur, por kanë mundësi për bashkëpunim të plotë në të gjitha fushat. Ai tha se gjatë kohës së reciprocitetit nuk është vërejtur ndonjë mungesë mallrash, pasi ka pasur bashkëpunim të mirë me Republikën e Maqedonisë.

Të dy homologët janë pajtuar që të gjitha marrëveshjet dhe memorandumet midis dy shteteve, të nënshkruara deri tani, duhet të fillojnë të zbatohen.

Bashkëpunimi mes dy shteteve do të ndikojë në mënyrë pozitive për paqen dhe stabilitetin në rajon, u tha në takimin e dy zv/kryeministrave. (LajmeShqip.com)