Lajme Shqip Saturday, 11 February 2012 11:20

Washington-Gazeta prestigjoze Wall Street Journal shkruan se presidenti Obama, në ballafaqim me situatën në Siri, bën mirë që të shqyrtojë mënyrën e ish presidentit Klintonit për krizën në Kosovë më 1999.

Fuqia amerikane, duhet të përkujtohemi, ishte vënë në mbrojtje të Bosnjës, katër vjet më herët. Tmerri i Bosnjës kishte zgjatur 30 muaj mizorik, nën presidentët Xhorxh Bush i vjetri dhe Bill Klinton.

Ishin treguar legjenda për fuqinë e serbëve, por ata u thyen relativisht me lehtësi dhe qytetarët në Bosnjë ishin shpëtuar kur presidenti Bill Klinton vendosi se nderi amerikan ishte njollosur me gjenocid në atë kënd të Evropës, dhe ai e filloi fuqinë e bombarduesve të NATO-s.

Por, njeriu i fuqishëm serb, Sllobodan Millosheviq, ende kishte autoritet. Ai ishte i vendosur që kosovarëve t’u mohojë autonominë e tyre. Ishte një verë e tmerrshme në vitin 1998, kur më tepër se 300 mijë shqiptarë të Kosovës, ishin detyruar me forcë që të largohen nga shtëpitë e tyre. “Pastrimi etnik”, ky eufemizëm i tmerrshëm, ishte përsëri gjithkund në lajme.

Për presidentin Klinton, ishte edhe një zhytje në ferrin ballkanik. Ai e autorizoi fushatën ajrore kundër Serbisë, që filloi më 23 mars, të vitit 1999, ditën e njëjtë kur shumica dypartiake në të dy dhomat e Kongresit votoi për ta mbështetur atë.

Dy ditë më vonë, presidenti Klinton iu drejtua popullit amerikan dhe foli lidhur me këtë konflikt, për ndikimin e tij për të ardhmen e Evropës dhe për linjën që duhet të përcaktohet për banditët dhe vrasësit, që e sfidojnë rregullin e kombeve.

Fushata ajrore zgjati 11 javë, përfshirë edhe më se 30 mijë fluturime, dhe e gjymtoi aftësinë e Millosheviqit për të zhvilluar luftë kundër kosovarëve. Infrastruktura ushtarake dhe ekonomike e Serbisë ishte dëmtuar, ndërsa ishte marrë në shënjestër edhe shtëpia e Millosheviqit.

Megjithëqë cilësimi “president lufte” është mendimi i fundit që bie ndërmend kur mendojmë në Bill Klintonin, ai e mbajti kursin. I nxitur nga kryeministri britanik, Toni Bler, presidenti Klinton, madje ishte i gatshëm të lejojë edhe përdorimin e trupave tokësore.

Kjo nuk ndodhi, Kosova e pavarur ishte ndihmuar me ushtrimin e forcës amerikane të moderuar dhe të kufizuar. Nuk e humbën asnjë ushtar amerikan në atë fushatë. Dy aeroplanë u humbën, por ekuipazhi ishte shpëtuar lehtë.

E gjithë kjo u arrit jashtë kufijve shkatërrues të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nuk i ishte dhënë mundësi Rusisë, megjithëqë presidenti i saj, Boris Jelcin, ishte në pozicione të mira sa i përket Uashingtonit.

Dy ditë pas përfundimit të armiqësive, ndodhi një ushtrim qesharak i forcës ruse. 50 makina me afro 200 trupa ruse u futën në Kosovë nga Bosnja dhe e okupuan aeroportin në Prishtinë. Me një mirësjellje, ata përfundimisht u futën në forcat e NATO-s në Kosovë me mandatin e OKB-së.

Dy javë pas përfundimit të luftës, më se 700 mijë kosovarë u kthyen në shtëpitë e tyre dhe në fshatra. Presidenti Klinton do të shkruante me krenari për Kosovën në autobiografinë e tij të, vitit 2004. “Djegia e fshatrave dhe vrasja e të pafajshmëve ishte histori. E kam ditur se ishte çështje e kohës se edhe Millosheviqi do të ishte histori, po ashtu”, shkruante Klinton.

Në këtë përvojë të hidhur siriane, presidenti Obama ka mundësi të ngjashme që ta ndalë “vrasjen e të pafajshmëve” në Homs, Hama dhe Dera. Regjimi i Damaskut po jeton me kërcënim, edhe pse ka mungesë të parave, dhe mbështetet në ushtri, që nuk ka besim në misionin e saj ose në personin, që e ka në krye. Mund të rrëzohet pa angazhim masiv amerikan. (REL)