Lajme Shqip Monday, 01 October 2012 08:02

New York – Bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në nivel të lartë dhe nën patronatin e Brukselit do të mund të vazhdonin çdo moment, dhe liderët serbë për këtë kanë dërguar sinjale pozitive sa i përket kësaj çështje, shkruan e përditshmja amerikane Wall Street Journal.

Duke iu referuar një diplomati të lartë evropian, gazeta e New Yrokut shkruan se bisedimet do të përtëriten së shpejti.  “data ende nuk është caktuar, por praktikisht jemi aty dhe bisedime do të ketë”, tha bashkëbiseduesi i WSJ.

Gazeta amerikane vlerëson se që nga takimet e fundit ndërmjet përfaqësuesve të ekipeve negociatore në Bruksel janë shtuar tensionet.

“Serbia ka votuar për Nikoliqin president, i cili anon nga nacionalizimi, dhe Daçiqin kryeministër, zëdhënës i dikurshëm i Sllobodan Millosheviqit. Ekziston skepticizmi ndaj përkushtimit të tyre për atë që Brukseli e quan ‘proces i normalizimit të raporteve ndërmjet Beogradit e Prishtinës”, thuhet në tekstin e WSJ.

Megjithkëtë, shton gazeta, Nikoliq dhe Daçiq kanë dërguar sinjale pozitive, duke iu referuar fjalëve të Nikoliqit në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB dhe duke shtuar se pa një normalizim të tillë Serbia s’mund të presë të marrë ftesën për përafrim-kandidim në BE. 

E ngjashme është situata edhe me Kosovën, vlerëson WSJ, duke përmendur faktin se Prishtina më 10 tetor do të duhet të merrte studimin e fizibilitetit nga BE-ja.

“Ky është hapi i parë drejt procesit shpesh të gjatë të kërkimit të anëtarësimit në BE. Ngecja në raportet me Beogradin këtë proces do të mund ta zgjaste edhe më shumë, përfundon tekstin gazeta amerikane.  (LajmeShqip.com)