Lajme Shqip Friday, 14 October 2011 18:09

Tiranë – Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadori Eugen Wollfarth, u shpreh sot në një intervistë televizive, se “partitë politike duhet të përgatiten dhe të fillojnë dialogun për reformën e kodit zgjedhor, e cila duhet të nisë pa humbur kohë”.

“Të gjithë e dëgjuam progres-raportin e Komisionit Evropian. Shpresojmë të ketë një efekt kthjellues, por ajo që vëmë re në këtë fazë është se partitë duket se nuk po lëvizin nga llogoret e tyre dhe se janë të përgatitura të rrinë në këto llogore. Kjo nuk është e mirë. Ato nuk duhet të sillen sikur të ishin në vitet 1914-1915, por të përgatiten për të ardhmen dhe të fillojnë reformat, midis të cilave është edhe reforma zgjedhore”, ka thënë Wollfarth.

Sipas tij, “rregullorja e Kuvendit do të ishte një fillim shumë i mirë dhe ka pasur propozime lidhur me këtë. Propozimet kanë ardhur edhe nga Partia Socialiste në formën e një katalogu, i cili është i hapur dhe duhet të kontribuojë si bazë për atë dialog që nevojitet vërtet për ta përgatitur Shqipërinë për të ardhmen, për zhvillimin e kësaj shoqërie, për stabilizimin e institucioneve demokratike, të cilat zakonisht varen nga zgjedhjet e mira.

Duhet të shohim zgjedhje akoma më të mira në të ardhmen. Ne kemi nevojë t’i shohim ato, populli shqiptar meriton t’i shohë”, ka theksuar Wollfarth.

Sipas Wollfarth ajo që duhet bërë tani është, “dialog dhe jo hedhje e fajit tek të tjerët”. “Palët duhet të fillojnë dialogun. Nuk ka rëndësi se në çfarë formati. Nuk ka rëndësi nëse bëhet në mënyrë private apo publike. Zakonisht, përgatitjet e mira fillojnë privatisht”, është shprehur Wollfarth.

Gjithashtu, ai thekson se duhet të ndërtohet besimi. “Besimi duhet të zëvendësojë mosbesimin dhe ky besim është i nevojshëm për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë. Unë kam besim për këtë dhe Prezenca e OSBE-së mbetet gjithashtu e gatshme të japë mbështetjen e saj. Unë kam besim se Shqipëria mund të përgatitet për të ardhmen, por hapat duhet të ndërmerren që tani, ora po ecën dhe kjo vlen edhe për reformën e Kodit Zgjedhor”, ka thënë Wollfarth.

Sipas tij, “rruga e rëndësishme që duhet ndjekur është që palët të bëjnë dialog për çështje konkrete, në vend të debateve të zjarrta”.

“Natyrisht”, vijon ai, “edhe këto debate janë pjesë e jetës parlamentare, por tani palët duhet t’i futen konkretisht punës, të kenë mendime të qarta, të peshuara mirë, të paraqesin drafte të mirëfillta dhe pastaj të kalojnë te vendimmarrja”.

“Kuvendi ka rifilluar punën prej pak më shumë se katër javësh, por deri tani nuk ka pasur ndonjë arritje të rëndësishme. Duket sikur kjo kohë nuk është përdorur si duhet. Kjo kohë duhet përdorur për t’u përgatitur për dialog, për ndërtimin e besimit, për punën mbi projektligjet, përfshirë dhe duke filluar nga reforma e kodit zgjedhor, që ne do të donim ta shihnim së shpejti”, ka theksuar Wollfarth.

Sipas ambasadorit të OSBE-së, “ajo që duhet të kemi gjithnjë parasysh është se shpejtësia e zhvillimit është në dorën e shqiptarëve”.

“Ne mund të japim këshilla, jemi të gatshëm të japim këshilla, kemi edhe durimin për të dhënë këshilla. Mbetet të shihet sa i duruar është populli shqiptar me atë që po ndodh në skenën politike. Ne do të donim të shihnim hapa më të shpejtë. Njerëzit e meritojnë, vendi e meriton dhe kjo do t’i shërbejë edhe përparimit dhe sigurisë në rajon”, ka përfunduar kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.