Lajme Shqip Monday, 16 April 2012 20:36

Tiranë-Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, tha sot në ceremoninë e  nënshkrimit të marrëveshjes teknike me Ministrinë shqiptare të Mbrojtjes, për projektin e  ri të shkatërrimit të lëndëve kimike, se ky projekt është pjesë e rëndësishme në kuadrin e përgjithshëm të çmilitarizimit.Sipas tij, fondet për këtë projekt jepen nga Republika Çeke dhe Turqia, në pjesën më të madhe.

Nga këndvështrimi i OSBE-së, ky aktivitet ka një interes jetësor për vendin për dy arsye të shëndosha, tha ambasadori Wollfarth.
Një arsye e shëndoshë, u shpreh ai, “është se shkatërrimi i të gjitha kimikateve të rrezikshme është çështje sigurie: siguri për popullatën, siguri për mjedisin dhe gjithashtu siguri për rajonin”.

Përpos kësaj, bazuar në mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së ka një rol dhe përgjegjësi vendimtare në këtë fushë, nënvizoi kreu i OSBE-së në Shqipëri. 
“Për më shumë se katër vjet tashmë, që nga shpërthimi i tmerrshëm i Gërdecit, Prezenca e OSBE-së ka qenë e përkushtuar në mbështetjen e Ministrisë së Mbrojtjes në përpjekjet e saj për të shkatërruar në mënyrë të sigurt municionet e tepërta dhe kimikatet toksike të rrezikshme”, tha Wollfarth.

Marrëveshja teknike që u nënshkrua ka për qëllim shkatërrimin e rreth 80 tonë lëndësh kimike të mbetura e të magazinuara në depo ushtarake. Me përfundimin e këtij projekti, Shqipëria nuk do t’i ketë më këto kimikate ushtarake të vjetra dhe të rrezikshme. Ambasadori Wollfarth  falënderoi të gjitha vendet donatore: Republikën Çeke, Danimarkën, Finlandën, Gjermaninë, Greqinë, Vendet e Ulëta dhe Suedinë, të cilat kanë kontribuar deri më tani në këtë drejtim. (LajmeShqip.com)