Lajme Shqip Wednesday, 09 November 2011 14:40

Tiranë – Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, theksoi sot gjatë konferencës “Roli i gruas në qeverisje”, se “palët politike duhet të bëjnë më shumë për të patur një përfaqësim më të madh për sa i përket numrit të grave në listat elektorale”.

Gjatë konferencës, ku ishin të pranishëm Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, përfaqësues të qeverisë, partive politike, etj, ambasadori i OSBE-së u shpreh se “në Shqipëri ka patur progres, por jo një progres të pasur për sa i përket rolit të gruas në qeverisje”.

 “Eshtë e rëndësishme që të jenë 30 për qind e grave në vendimmarrje, sidomos në sistemin politik. Partitë politike kanë bërë pakt për të patur një përfaqësim më të madh të grave në politikë”, theksoi Wollfarth, duke shtuar se palët politike duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur aktivitetet politike të grave.

Kreu i prezencës së OSBE-së, në Tiranë, Eugen Wollfarth, u shpreh se “është gjithashtu e rëndësishme që të kryhet një trajnim i femrave për të patur një përfaqësim të tyre. Mundësitë dhe hapësirat që u jepen grave për të patur një përfaqësim edhe më të madh është një nga elementet kyç”.

“Nuk është i mjaftueshëm përfaqësimi i grave jo vetëm në politikë, por edhe në sistemin kulturor, gjë që nuk është bërë shumë në Shqipëri”, theksoi Wollfarth.

Ai tha se “tashmë partitë politike duhet të bëjnë një përpjekje më të madhe se kaq”.