Lajme Shqip Friday, 20 July 2012 17:26

Tiranë – Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, shprehu paraditen e së premtes mbështetjen e OSBE në ndihmë të personave me aftësi të kufizuar.

Wollfarth vlerësoi si të rëndësishme përfshirjen e këtyre personave dhe në vendimmarrje. “Në hartimin dhe miratimin e ligjeve të reja, të një legjislacioni të ri, është shumë e rëndësishme të dëgjohet zëri i anëtarëve të shoqërisë, dhe për më tepër i personave më aftësi të kufizuar. Këto janë tema në të cilat ne duam që gjërat të ecin më shpejt, në të cilat ne ushtrojmë gjithë fuqinë tonë, janë fusha legjitime bashkëpunimi në mbështetje të shoqërisë civile dhe të personave me aftësi të kufizuar”, u shpreh Wollfarth, pas takimit që zhvilloi me Presidentin  e Këshillit Kombëtar të Shoqatave të Personave me Aftësi të Kufizuara, Sinan Tafaj.

Wollfarth vlerësoi ndërgjegjësimin e shoqërisë shqiptare  në lidhje me personat me aftësi të kufizuar, por shtoi se është e nevojshme të arrijë nivele më të larta. “Ajo çka u duhet këtyre njerëzve është mbështetja për të pasur  një jetë më të mirë, në mënyrë që ata të bëhen anëtarë të shoqërisë civile”, tha Wollfarth.

Ndërkohë, Presidenti i Këshillit Kombëtar të Shoqatave të Personave me Aftësi të Kufizuara, Sinan Tafaj, vlerësoi mbështetjen e OSBE. Ai u shpreh se “në situatën e vështirë që po kalojmë mbështetja juaj për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kemi patur gjithmonë mbështetjen e OSBE, veçanërishtë përsa i përket pjesëmarrjes në zgjedhje dhe respektimit të të drejtave themelore të njeriut”.

Tafaj shtoi gjithashtu se  personat me aftësi të kufizuar do të bëjnë gjithçka për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 2013. (LajmeShqip.com)