Lajme Shqip Friday, 12 August 2011 14:12

Tiranë – Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth, tha se Kodi Zgjedhor ka nevojë për rishikime në mënyrë që të jetë i aplikueshëm për proceset e ardhshme zgjedhore.

Në një prononcim nga Korça, Kreu i OSBE-së theksoi se duhen riparë me imtësi rekomandimet e ODIHR-it.

Wollfarth u ka bërë thirrje forcave politike të nisin dialogun për reformën zgjedhore. Ai theksoi se reforma zgjedhore duhet të jetë e gjerë, madje të përfshijë dhe institucione si parlamenti.

“Presim një reformë të gjerë që të nisë nga parlamenti”, tha ai.

Kreu i OSBE-së, gjithashtu theksoi se partitë politike duhet të bëjnë kujdes me ndryshimet në Kushtetutë. Sipas tij, “çdo vend bën kujdes të madh kur bën ndryshimet kushtetuese”.

Ndërkohë, Wollfarth përsëriti apelin për dialog në politikës shqiptare. “Partitë të gjejnë gjuhën e përbashkët. Në bisedime për Kodin dhe reformën të hyjnë dhe partitë e vogla. Konsensusi arrihet vetëm përmes dialogut”, përfundoi prononcimin e tij, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth.

Ndërkohë një ditë më parë, Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Myler Holtkemper deklaroi në Korçë se forcat politike duhet të bashkëpunojnë për të hartuar një Kod të ri Zgjedhor, si dhe përsëriti apelin për dialogun politik.